“Lifti pati probleme disa ditë me radhë”- Çka thotë dosja për pronarët e firmës, ku neglizhenca e tyre çoi në vdekjen e 41-vjeçares në Prizren

Halil dhe Beqir Krasniqit, pronarë të firmës “Design Lifts – Doppler” në Prizren, iu është ngritur aktakuzë për veprën penale “Asgjësimi, dëmtimi ose heqja e pajisjeve mbrojtëse dhe rrezikimi i sigurisë në vendin e punës”. Ata akuzohen për neglizhencë të mirëmbajtjes së liftit tek banesat “Daja Rrah” në Prizren, përkundër që banorët i kishin lajmëruar se lifit kishte pasur probleme disa ditë me radhë.

Insajderi ka arritur të sigurojë aktakuzën për rastin e pronarëve të firmës për mirëmbajtjen e ashensorëve, ku thuhet se këta të fundit nuk kishin instaluar pajisje mbrojtëse e as s’e kanë riparuar liftin.

Për pasojë, gjatë këtij viti kishte ndërruar jetë një banore 41-vjeçare me inicialet H.V.

“I pandehuri Halil Krasniqi, në cilësi të personit përgjegjës i personit juridik, me dt. 20.06.2024 rreth orës 20:50 min, në rrugën “Viliam Volker” pikërisht tek banesat “Daja Rrah”, hyrja C, rrezikon jetën e të ndjerës Haxhere Vejseli, në atë mënyrë që duke vepruar nga pakujdesia si pronar për sigurinë dhe shëndetin, nuk instalon pajisjet mbrojtëse, nuk i përmban në gjendje të rregullt dhe nuk vepron në pajtim me dispozitat apo rregullat teknike mbi masat dhe sigurinë në lift, në atë mënyrë që edhe pse për disa ditë me radhë ka pas probleme me lift dhe problemet nuk i kanë riparuar dhe evituar, në momentin kur e ndjera hap derën e liftit në katin e dytë, duke menduar që është regulluar, bie në mes kat, ku nga dy persona arrijnë ta nxjerrin mirëpo për shkak të lëndimeve të pësuara nuk arrin ti përballoj lëndimeve dhe ndërron jetë“, thuhet në aktakuzë.

Dy personat përgjegjës të kompanisë “Design Lifts – Doppler” që mirëmbante ashensorin e objekti, Beqir Krasniqi pronari i kompanisë dhe Halil Krasniqi përgjegjësi i mirëmbajtjes u lanë në arrest shtëpiak nga gjykata pavarësisht kërkesës së prokurorisë për caktimin e paraburgimit.

Lexo edhe:  Ish-komandanti i UÇK-së: Mehmet Loci na turpëroi një popull të tërë, edhe me të vërteta të pamohueshme

Djali i së ndjerës, Shuajib Veseli në qershor të këtij viti ka rrëfyer ekskluzivisht për Insajderin si ndodhi ngjarja dhe defektet që kishte lifti para rastit