Hamza: Nga sot 130 të rinj nisin praktikën me pagesë në institucionet e Komunës së Mitrovicës

Kryetari i Mitrovicës, Bedri Hamza, ka njoftuar se, përmes një programi të mbështetur nga Komuna dhe UNICEF-i, 130 të rinj do të nisin praktikën me pagesë në institucionet publike lokale, shkruan Jepi zë.

Hamza tregon se praktikantët e rinj që nisin nga sot punën e tyre, i takojnë grupmoshës 16-25 vjeç.

Kryetari i Mitrovicës, që është edhe kandidat për Kryeministër, thotë se duhet të krijohen mundësi të reja, ashtu që të frenohet ikja e të rinjve nga Kosova.

Postimi i plotë i Hamzës:

Kosova ka shumë të rinj të talentuar, që u mjafton shpeshherë vetëm një përkrahje institucionale që të ecin me hapa të shpejt në punë dhe karrierë. Në kuadër të programit “Kosovo Generation Unlimited”, i cili mbështetet nga Komuna e Mitrovicës dhe misioni i UNICEF-it në Kosovë, nga sot 130 të rinj të moshës 16-25 vjeçare do ta kryejnë praktikën me pagesë në institucionet publike të Komunës së Mitrovicës.

Tregu i punës në Kosovë është mjaft specifik dhe sidomos për të rinjtë, me zhvillimin e teknologjisë informative, po ndryshon në mënyrë të vazhdueshme. Ne duhet të krijojmë mundësi të reja që e frenojnë ikjen e të rinjve dhe t’iu ndihmojmë atyre të gjejnë perspektivë ekonomike në Kosovë, pranë familjeve të tyre!

Lexo edhe:  “Protestat janë të milicisë fashiste”, MPB-ja tregon bilancin e sulmeve në veri