Ferizaj: 38-vjeçari shkel urdhrin e Gjykatës dhe i shkakton telashe ish gruas, përfundon në qeli

Dhuna në familje vazhdon të mbetet një nga damkat më të mëdha të shoqërisë kosovare. Çdo ditë në Polici raportohen raste të grave që përjetojnë dhunë në forma të ndryshme kryesisht nga partnerët. Madje as urdhrat që lëshojnë Gjykatat ndaj të dyshuarve për dhunë në familje nuk respektohen dhe për pasojë përsëriten raste të tilla, raporton Gazeta Sinjali.

Kështu dyshohet se ka ndodhur së fundmi në Ferizaj, ku një 35-vjeçare ka kërkuar ndihmën e Policisë për shkak të shqetësimit që ia ka shkaktuar ish bashkëshorti i saj.

Sinjali mëson se bazuar në dëshminë e saj, ajo është pajisur me urdhër të mbrojtjes të lëshuar nga Gjykata, por as kjo nuk e ka ndalur të dyshuarin që t’i shkaktojë telashe.

Sipas informacioneve të para, i dyshuari 38-vjeçar i ka shkuar viktimës në lokalin ku ndodhej dhe e ka ofenduar, duke i shkaktuar shqetësim.

Përballë kësaj situate, gruaja e denoncoi rastin dhe si rezultat, i dyshuari është arrestuar dhe është shoqëruar në stacion policor për intervistim.

Me urdhër të prokurorit, i njëjti është dërguar në mbajtje dhe do të hetohet për veprën penale ‘Mospërfillje e Gjykatës’.

Lexo edhe:  E dhimbshme: Vdes në moshë mjaft të re Valdete Vojvoda