I mituri ‘kapadai’ e kërcënon me vrasje një 30-vjeçar në Lipjan, i shkon te lokali me një grup shokësh
Mosmarrëveshjet për motive të ndryshme, e që shpeshherë dalin të jenë banale bëhen mollë sherri e kërcënimeve e përleshjeve në vendin tonë. Për pasojë, konfliktet jo rrallëherë eskalojnë dhe ndërhyn Policia, raporton Gazeta Sinjali.
Kështu ka ndodhur së fundmi në Lipjan, ku një i mitur përfundoi në pranga të Policisë pasi u fut në sherr me një 30-vjeçar.
Sinjali ka mësuar se i mituri, i moshës rreth 17-vjeçar, po dyshohet për kërcënimin e viktimës, me të cilin ka pasur nëj problem qe një kohë, për motive akoma të panjohura.
Sipas informacioneve të para, i mituri po dyshohet se e ka kontaktuar 30-vjeçarin, ku është kapur verbalisht me të, e më pas i ka shkuar te lokali me një grup shokësh, ku e ka kërcënuar me vrasje.
Përballë kësaj situate, viktima e ka denoncuar rastin në Polici dhe fillimisht i dyshuari nuk është arritur të kapet.
Të njëjtat burime thonë se gjatë ditës së djeshme, i dyshuari është arrestuar dhe shoqëruar në stacion policor për intervistim.
Ndaj tij, Prokurori i Shtetit ka urdhëruar masën e ndalimit policor dhe ndërmarrjen e veprimeve të nevojshme hetimore.