QKUK me vetëm një karrocë tualeti për pacientët

Është karrocë për pacientët që kanë probleme me lëvizjen gjatë hospitalizimit, e dedikuar vetëm për kryerjen e nevojave personale.

Veçse, një si ajo që është e vetmja në Qendrën Spitalore për fëmijë, mungon për të rritur.

Edhe qasja e tyre në tualetet e klinikave mund të jetë jo e lehtë kur dyert nuk janë me dimensione të gjëra.

Aktualisht për pacientët e moshës madhore janë në dispozicion diku rreth 10 karrige statike tualeti, që gjenden në deponë e QKUK-së, të mbuluara nga pluhuri dhe të pashfrytëzuara momentalisht.

Por, një karrocë e sofistikuar do ta ndihmonte shumë një paciente të moshuar që ka telashe me lëvizje e cila po trajtohet në ortopedi.

80-vjeçarja tregon se vështirësitë i ka të mëdha kur bëhet fjalë për kryerjen e nevojave fiziologjike.

Nga stafi i Klinikës së Ortopedisë tregojnë se dikur kanë pasur karrige të tilla, por që tani nuk e posedojnë asnjë të tillë, anise bëjnë me dije që këto karrige janë të nevojshme për çdo dhomë pacienti.

Për më tepër, mungesë ka edhe të karrocave standarde. Kryeinfermierja Miradije Hoti në repartin e Traumatologjisë në Ortopedi, thotë se për dy reparte e kanë vetëm një karrocë standarde që shërben për lëvizje.

E nga SHSKUK kanë bërë me dije se deri më tani nuk kanë pranuar ndonjë kërkesë nga klinikat e QKUK-së për furnizim me karroca tualeti, çmimi i një të tille sillet rreth 200 euro.

Lexo edhe:  Policia nuk e falë biznesmenin e njohur, ia konfiskon veturën