Klienti i BKT-së i deponon disa 500-she të dyshuara false, banka e denoncon rastin në Polici

Trendi i parave të falsifikuara po vazhdon të ‘lulëzojë’ në Kosovë, ku qindra e mijëra euro fals vihen përditë në qarkullim në treg. Rastet e tilla raportohen kryesisht nga zyrtarët e bankave në vend, teksa monedha që po ‘tmerron’ të gjithë është ajo 2 euroshe, raporton Gazeta Sinjali.

Një rast i tillë është raportuar gjatë ditës së djeshme nga një zyrtar i BKT-së, i cili ka raportuar për deponimin e disa kartëmonedhave nga një klient, që dyshohet të jenë false.

Sinjali ka mësuar se bazuar në denoncimin e tij, bëhet fjalë për disa 500-she nën dyshimin se janë të falsifikuara.

Paratë e deponuara para një jave, janë konfiskuar në cilësinë e provave materiale dhe me urdhër të Prokurorit të Shtetit, është iniciuar rasti ‘Falsifikim i parasë’.

Ndryshe, falsifikimi i parasë është vepër penale dhe sanksionohet sipas Kodit Penal të Republikës së Kosovës. Kushdo që prodhon para të falsifikuara me qëllim për t’i vënë në qarkullim si të vërteta, dënohet me burgim prej një deri në dhjetë vjet.

Lexo edhe:  “A vajtuat boll?”, OVL për rastin në Shtërpcë: Askush s’e foli një fjalë për shqiptarin që e mbytën në burg të Serbisë