Veç deri në gusht, Trusti humb 161 milionë euro

Kriza në tregjet financiare globale muajve të fundit, po ndikon jashtëzakonisht shumë edhe në investimet e jashtme të Fondit Pensional të Kosovës. Si rrjedhojë e kësaj, Trusti deri në gusht ka humbur hiç më pak se 161 milionë euro nga rënia e vlerës së aseteve të saj në këto tregje.

Në raportin më të fundit të Bankës Qendrore të Kosovës (BQK), ku shpalosen informatat mujore të sistemit financiar në vend, në muajin gusht të këtij viti, kthimi në investimet e Trustit ishte -161 milionë euro.

Madje, ekspertë të çështjeve ekonomike vlerësojnë se derisa çrregullimet në tregjet ndërkombëtare të vazhdojnë, paratë e kontribut-paguesve do të shënojnë vazhdimisht humbje.

Gjatë kësaj periudhe (gusht), kontributet e reja në Trust arritën në 116.2 milionë euro, derisa vlera e çmimit të aksionit ishte 1.65 euro, përcjell Buletini Ekonomik.

Vlera e aseteve të jashtme neto të investuara nga Fondet Pensionale të Kosovës deri në muajin gusht të këtij viti, ishte gjithsej 1 miliardë e 613.5 milionë euro.

Ndërkohë, vlera e përgjithshme e aseteve të Fondit Pensional të Kosovës është 2 miliardë e 283 milionë euro, prej të cilave 2 miliardë e 274.5 milionë i takojnë Fondit të Kursimeve Pensionale të Kosovës (FKPK), kurse 8.5 milionë janë asete të Fondit Slloveno-Kosovar të Pensioneve (FSKP).

Sa i përket Fondit Slloveno-kosovar të Pensioneve, kthimi në investime ishte -801.6 mijë euro, derisa kontributet e reja ishin në vlerë të 294.9 mijë eurove. Kurse, vlera e çmimit të aksionit ishte 188.10 euro (Vlera bazë e aksionit: FKPK-së =1; FSKP-së =100).

Ndryshe, sipas ligjeve në fuqi në Kosovë, 70 për qind e mjeteve të Trustit janë të investuara në tregjet financiare ndërkombëtare në periudha afatgjate, me qëllim që t’u rritet vlera, ndërsa 30 për qind investohen në letrat me vlerë në Kosovë.

Lexo edhe:  Një person pëson djegie të gati gjithë trupit, dërgohet në gjendje të rëndë në QKUK