Zbulohet si u mashtrua pronari i kompanisë ‘Albi Moni’ në Podujevë, kjo është gruaja e arrestuar
Skemat e mashtrimit me qëllim të përfitimit të kundërligjshëm janë raste goxha të shpeshta në Kosovë. Jo rrallëherë, pre e mashtruesve bien edhe pronarë të kompanive të ndryshme. Për një rast të tillë që është denoncuar në muajin korrik, Prokuroria Themelore në Prishtinë ka ndaluar një të dyshuar, raporton Gazeta Sinjali.
Për një rast të mashtrimit me një pagesë, dy persona u futën në kërkim policor më 18 korrik dhe tek dje, njëri prej tyre përfundoi në prangat e Policisë së Kosovës.
Sinjali ka mësuar se bëhet fjalë për një grua, shtetase e Maqedonisë Veriore, e cila dyshohet se bashkë me një person tjetër kanë mashtruar pronarin e depos ‘NTP Albi Moni’ në Podujevë.
Burimet brenda Prokurorisë kanë bërë me dije se gruaja që u prangos lidhur me këtë rast është Nebahate Abdiovska, rreth 32-vjeçare.
Sipas informacioneve që posedon Sinjali, dy të dyshuarit janë marrë vesh me viktimën që ky i fundit t’iu dërgojë material ndërtimor në vlerë të rreth 10 mijë eurove, për çka nuk kanë kryer pagesë.
Fillimisht, i dyshuari e kishte dërguar një pjesë të materialit, por nuk e kishte marrë asnjë cent, pasi të dyshuarit e kanë mashtruar se gjoja kanë probleme teknike me kartelat bankare.
Mallin e dërgoi, por s’u pagua – prandaj viktima vendosi që t’i denoncojë të dyshuarit në Polici.
Si rezultat i raportimit, janë ndërmarrë veprimet e nevojshme që çuan në arrestimin e gruas së dyshuar, teksa personi tjetër i përfshirë në këtë rast akoma nuk është kapur.
Ndaj të dyshuarës, Prokurori i Shtetit ka urdhëruar masën e ndalimit policor për 48 orë.
Ndryshe, sipas Kodit Penal të Republikës së Kosovës, kushdo që mashtron mund të dënohet me gjobë, si dhe me burgim deri në 5 vjet.
“…kushdo që me anë të paraqitjes së rreme të fakteve apo duke fshehur faktet ose në çfarëdo mënyre tjetër mashtruese dhe me qëllim të përfitimit të kundërligjshëm të dobisë pasurore për veten apo personin tjetër, ose për t’i shkaktuar dëm material personit tjetër, e mashtron apo vazhdon lajthimin e personit tjetër dhe me këtë e nxit një person që të kryej apo të mos kryej një veprim, i cili rezulton në dëm material të pasurisë së tij/saj apo të pasurisë së personit tjetër ose rezulton në dobi pasurore të kundërligjshme, për veten apo personin tjetër, dënohet me gjobë dhe me burgim prej tre (3) muaj deri në pesë (5) vjet.”