E rëndë në Skenderaj: Xhaxhai plagos rëndë nipin 3-vjeçar
Përdorimi i armës që e mbante ilegalisht përfundoi me plagosje në fshatin Abri e Ulët në Skenderaj. Një fëmijë u qëllua nga pakujdesia e një familjari të tij, i cili gjuajti me armë zjarri te shtëpia e tyre.
Siç mëson Sinjali, i dyshuari Xh.Kuliqi, po dyshohet se e ka plagosur nipin e tij 3-vjeçar, duke shtënë në drejtim të një kafshe.
Fëmija ka pësuar lëndime të rënda trupore dhe është dërguar me urgjencë në Qendrën Klinike Universitare për trajtim mjekësor.
Sipas informacioneve të para, gjendja e vogëlushit është stabile dhe i njëjti është jashtë rrezikut për jetë.
Të njëjtat burime kanë bërë me dije se i dyshuari që gjuajti me armë është arrestuar dhe më pas është shoqëruar në stacion policor.
Ndaj tij, Prokurori i Shtetit ka urdhëruar masën e ndalimit policor.
Lajmin e ka konfirmuar edhe Policia Rajonale në Mitrovicë.
“Është arrestuar i dyshuari mashkull kosovar pasi që i njëjti dyshohet se nga pakujdesia ka shtënë/gjuajtur me armë zjarri në drejtim të një kafshe (dëmtues i shpezëve), ku si pasojë një person është lënduar nga saçma (copëzat) e kthyer nga toka. Viktima është dërguar në QKUK, ndërsa me vendim të prokurorit i dyshuari është dërguar në mbajtje.”