Arrestohet një person për mashtrim në Klinë, s’i dha kurrë paratë për kamionin dhe kosën që bleu
Vonesa e pagesave të borxhit shpesh herë bëhet mollë sherri mes qytetarëve, duke bërë kështu që intervenimi i organeve të rendit për të zgjidhur konfliktin, të jetë i domosdoshëm.
Shitblerja e një kamioni dhe një mjeti për kositjen e barit është bërë shkak që një 30-vjeçar nga fshati Gllarevë e Klinës të përfundojë në prangat e Policisë.
Burimet e Gazetës Sinjali kanë bërë të ditur se gjithçka ka ndodhur pasi një 60-vjeçar ka raportuar në Polici se i dyshuari nuk ka paguar pjesën e mbetur të borxhit për kamionin dhe mjetin që kishte blerë. Sipas tij, i dyshuari ka dhënë një pjesë të parave, ndërsa pjesën tjetër është zotuar se do t’ia japë më vonë.
Por kjo nuk ndodhi kurrë pasi i dyshuari më asnjëherë nuk i është përgjigjur, duke bërë që viktima të kërkojë zgjidhje me ndërmjetësim të shtetit.
30-vjeçari është arrestuar e më pas është shoqëruar në stacion policor për intervistim. Para hetuesve policorë ai ka deklaruar se posa t’i ketë paratë, do t’ia kthejë borxhin viktimës.
Pas përfundimit të procedurave policore, Prokurori i Shtetit ka nxjerrë aktvendim që të dyshuarit t’i caktohet masa e ndalimit në kohëzgjatje prej 48 orësh dhe i njëjti të hetohet nën dyshimet për kryerjen e veprës penale ‘Mashtrim’.