Kurti, Vuçiqit, për “marshin e shqiptarëve mbi Urën e Ibrit”: Akuza të rreme – përgatitje për sulm ndaj Kosovës

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka thënë se asnjë shqiptar nuk nuk do të marshojë mbi urë, duke e demantuar kështu presidentin e Serbisë, Aleksandër Vuçiq, i cili ka deklaruar se “shqiptarët do të marshojnë në Urën e Ibrit”.

Madje, Vuçiq ka kërkuar nga KFOR’i që “të mbrojë serbët”.

Ndaj këtyre deklarave reagoi kreu i Qeverisë së Kosovës duke thënë se këto akuza të rreme shpesh janë parathënie për një sulm të planifikuar nga Serbia.

“Me akuza të rreme se shqiptarët po marshojnë mbi urë, Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, synon të krijojë një atmosferë frike dhe të nxjerrë një reagim nga KFOR-i në Mitrovicë, duke kërcënuar se nëse ata nuk përgjigjen, Serbia do të përgjigjet”.

“Asnjë shqiptar nuk po marshon mbi urë, siç ai pretendon në mënyrë të rreme. Të gjitha planet për hapjen e urës kanë pasur për qëllim të nxisin ndërveprimin paqësor midis dy komuniteteve. Megjithatë, këto akuza të rreme shpesh janë një parathënie për një sulm të planifikuar nga Serbia. Për sigurinë e të gjithëve, ata nuk duhet dhe nuk do të lejohen të hyjnë në territorin tonë”, ka shkruar Kurti.

Përndryshe, për nesër është paralajmëruar një protestë e serbëve në veri të Kosovës.

Ndërsa, Veton Elshani zëvendës drejtori i Policisë së Kosovës për veriun, ka demantuar presidentin serb duke thënë se “nuk është lajmëruar asnjë tubim në jug të Mitrovicës”.

Lexo edhe:  Mërgimtarët e një fshati të Skënderajt bëjnë organizim për t'u takuar e lidhur me vendlindjen