EULEX: Të gatshëm të mbështesim Policinë e Kosovës në rast trazirash

Misioni Evropian për Sundim të Ligjit në Kosovë (EULEX) ka thënë se po monitoron nga afër situatën e sigurisë në veri, dhe se i qëndrojnë reagimit tre-shtesor të sigurisë.

“Në përputhje me mandatin e tij, EULEX-i vazhdon të monitorojë nga afër situatën e sigurisë në Kosovë. Në veçanti, për të fituar vetëdijen për situatën, Njësia e Formuar e Policisë së EULEX-it, e cila përbëhet nga 105 policë polakë, po kryen patrulla të lëvizshme të zbulimit në baza 24/7, duke përfshirë – por pa u kufizuar në – veriun e Kosovës”.

”Siguria e të gjitha komuniteteve në Kosovë mbetet prioriteti ynë i parë. EULEX-i mbetet vigjilent dhe në përputhje me mekanizmin reagues të sigurisë me tre nivele të Kosovës, është i gatshëm të mbështesë Policinë e Kosovës nëse kërkohet dhe është e nevojshme për të kontribuar në ruajtjen dhe promovimin e rendit dhe sigurisë publike në rastet e trazirave civile”, thuhet në përgjigjen e EULEX-it për Rtv21.

Në Mitrovicë të Veriut është paralajmëruar protestë nga komuniteti serb, që kundërshtojnë hapjen e Urës së Ibrit.

Për protestën është njoftuar edhe PK’ja, bëri të ditur zv.drejtori i Policisë për rajonin e Mitrovicës së Veriut, Veton Elshani.

Për protestë fillimisht njoftuan mediat serbe, të cilat folën për një “protestë paqësore dhe demokratike” në kundërshtim të Urës së Ibrit.

Protesta është paralajmëruar të fillojë nga ora 11:00.

Lexo edhe:  Alarmante: Shtatë raste të dhunës në familje në 24 orët e fundit në Kosovë