Luftëtari i UÇK-së niset për në Kosovë, e sheh emrin e tij në listat e Interpolit – MPJ-ja nuk i përgjigjet

Ish-ushtari i Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, D.G.* ka marrë rrugë nga Zvicra për në Kosovë të hënën dhe është i pasigurt për udhëtimin e tij.

Ai rastësisht gjatë rrugës e ka parë emrin e tij në listat e të kërkuarve nga Interpoli në bazë të flet-arresteve të lëshuara nga Serbia.

Ish-ushtari nga Zona Operative e Drenicës, i cili jeton dhe vepron në Zvicër, tha për Paparacin se aktualisht ndodhet në Kroaci dhe se nuk ndihet i sigurt të kalojë përmes Malit të Zi.

“Unë qetash e kam marrë rrugën për Dubrovnik, jam në Kroaci. Ma herët isha në Itali, në atë pjesën që shkon për Slloveni dhe tash jam afër të hyjë në Mal të Zi”, tha ish-ushtari i UÇK-së, identitetin e të cilit nuk do ta zbulojmë të plotë për shkak të sigurisë së tij.

Ai, me të parë emrin e tij në listat e të kërkuarve nga Serbia me urdhërarrest ndërkombëtar është përpjekur sot gjatë ditës që të vendoset në kontakt me Ministrinë e Punëve të Jashtme të Kosovës.

Pavarësisht prej dhjetëra përpjekjeve që të kontaktojë me MPJ-në përmes numrave të vënë në shërbim në uebsajtin e Ministrisë, ai nuk ka marrë ende përgjigje.

“Pershendetje, Jam D.G.* [redaktuar], i pash dy lista te cilat i ka leshu interpolli Serb, Ne njeren list ësht edhe emri im, une jam duke udhtuar nga Zvicrra për ne Kosovë permes Malit te Zi, Ju lutemi a mund te na tregoni se sa esht e mundur qe shteti Malazez ta zbatoj nje kerkesë të tillë, jam ndalur ne hyrje te Kroacis dhe spo di a me vazhdu apo jo, ju lutem nese keni ndonje informat”, i ka shkruar ai, MPJ-së, përmes adresës elektronike të hënën.

Lexo edhe:  I vrari dhe i arratisuri për grabitjen në Suharekë janë djemtë e ish-komandantit të UÇK-së

D.G.* ka thënë se do të udhëtojë për në Kosovë duke kaluar në Mal të Zi, edhe pse nuk ka informata nëse shteti malazez do të zbatojë kërkesat e Serbisë të paraqitura në Interpol.

“Kam tentu me kontaktu sot me MPJ-në, po absolut kurrkush nuk i hap ata telefona dhe nuk përgjigjet askush as në e-maile, megjithatë unë e kam në plan që të udhëtojë përmes Malit të Zi”, tha ai.

Veterani i UÇK-së tha se që nga viti 2008 e përshkon rrugën e njëjtë nga Zvicra për në Kosovë.

“Prej vitit 2008 unë udhëtoj nëpër Mal të Zi dhe kurrë s’kemi pasur probleme. Jo nuk ka ndodhur kurrë më herët [të shohë emrin tim në listën e Interpolit], nuk e di nëse kam qenë i kërkuar nga Serbia më herët”, tha ai.

Disa lista të mbushura me emra të ish-ushtarëve të UÇK-së, të kërkuar nga Interpoli, janë publikuar në media ditëve të fundit.

Për këtë çështje ka reaguar edhe drejtuesi i Organizatës së Veteranëve të Luftës së UÇK-së, Faton Klinaku, i cili ka kërkuar nga veteranët e luftës të kenë kujdes kur udhëtojnë jashtë Kosovës, e sidomos kur udhëtojnë nëpër Serbi.

Klinaku, para disa ditësh në një reagim publik, ka thënë se Serbia po vazhdon t’i përditësojë listat, duke futur veteranë në listën e Interpol-it.