7 vjet burg për gruan që vrau motrën në Fushë Kosovë

Gjykata Themelore në Prishtinë, ka shpallur aktgjykim dënues ndaj të akuzuarës F.S., lidhur me akuzën për vrasjen e motrës në Fushë-Kosovë. Ajo është dënuar me 7 vite burgim dhe ndaj është shqiptuar edhe masa e trajtimit të detyrueshëm psikiatrik.

Sipas aktgjykimit, dënimi me burgim në kohëzgjatje prej 7 vitesh, do të ekzekutohet 15 ditë pas plotfuqishmërisë së këtij aktgjykimi.

Në këtë dënim, të akuzuarës do t’i llogaritet edhe koha e kaluar në paraburgim nga 9 prilli 2021.

Sipas aktgjykimit, e njëjta u lirua nga pagesa e shpenzimeve të procedurës penale, pasi që rrezikohet gjendja materiale e saj.

Gjykatësi gjatë shpalljes së aktgjykimit tha se e akuzuara F.S., do të ndalohet për trajtim të detyrueshëm psikiatrik nga dita e sotme e derisa institucioni të konstatojë se më nuk është e nevojshme që e njëjta të jetë aty për atë trajtim.

Kujtojmë se sot u dha fjala përfundimtare në këtë rast, ku avokati i të akuzuarës F.S., Halit Shaljani, tha se nuk ka asnjë dyshim që e mbrojtura e tij vuan nga një sëmundje mendore, ndërsa prokurori Ilaz Beqiri, deklaroi se mbetet pranë fjalës përfundimtare të dhënë me 9 gusht 2022.

Ndryshe, më 11 gusht 2022 pritej të bëhej shpallja e aktgjykimit për këtë rast, por që nga ana e trupit gjykues për të njëjtin rast është rihapur shqyrtimi gjyqësor me arsyetimin se trupi gjykues ka vlerësuar se duhet të administrohen provat, përkatësisht dokumentet mjekësore të paraqitura nga ana e mbrojtësit të të akuzuarës, avokatit Halit Shaljani për shëndetin e të njëjtës.

Prokuroria Themelore në Prishtinë më 9 maj 2021 ka ngritur aktakuzë ndaj F.S., me arsyetimin se derisa ishte në dhomën e fjetjes së tani të ndjerës T.S që gjendet në Fushë-Kosovë, në gjendje të përgjegjësisë esencialisht të zvogëluar, nga motive të panjohura e kishte privuar nga jeta motrën e saj T.S.

Lexo edhe:  Aksident i rëndë në Mitrovicë, 5 persona bëhen për spital