5 muaj nga vrasja e Liridona Ademajt – çka po ndodh me hetimet ndaj Naim Murselit dhe të tjerëve

Hetimet për një ndër krimet më të rënda që kanë ndodhur ndonjëherë në vend, po vazhdojnë akoma. Rasti i vrasjes së 30-vjeçares, Liridona Ademajt, nuk është zbardhur ende plotësisht. Aktakuzë nuk ka, e informacionet zyrtare për këtë rast janë të pakta. Në paraburgim po mbahen katër persona, përfshirë edhe bashkëshortin e të ndjerës, Naim Murselin, i cili dyshohet se kishte porositur vrasjen. Motivi vazhdon të jetë mister.

Javën tjetër bëhen pesë muaj nga dita kur u vra Liridona Ademaj. Vrasjen e 30-vjeçares me shtetësi suedeze dyshohet se e porositi bashkëshorti i saj, Naim Murseli. Krimi i rëndë u krye para dy fëmijëve të saj, mbrëmjen e 29 nëntorit të vitit të kaluar, në fshatin Bërrnicë të Prishtinës.

Misteri vazhdon ta përcjell këtë rast që nga fillimi. Ndonëse kanë kaluar disa muaj, informacionet zyrtare që dihen për këtë rast janë pothuajse të njëjtat me ato që ishin bërë publike qysh javën kur ishte kryer krimi.

Nga Prokuroria Themelore e Prishtinës i kanë thënë Gazetës Express se rasti akoma ndodhet në procedurë hetimore. Zëdhënësja e Prokurorisë, Laureta Ulaj thotë se në këtë fazë, s’mund të ndahen informata tjera.

“Referuar kërkesës së parashtruar nga ana juaj, ju njoftojmë se rasti në fjalë akoma ndodhet në procedurë hetimore, andaj nuk mund të ndajmë me Ju informata të tjera në këtë faze”, thuhet në përgjigjen e Ulajt.

Në paraburgim për këtë rast janë Naim Murseli, Granit Plava dhe Kushtrim Kokalla. Policia i kishte arrestuar të tre këta, ditën kur e ndjera ishte varrosur, saktësisht disa orë pas ceremonisë.

Murseli dyshohet se porositi vrasjen e gruas së tij, duke i premtuar 30 mijë euro Plavës për ta kryer krimin e rëndë. Ndërsa, i arrestuari tjetër për këtë rast, Kushtrim Kokalla, dyshohet për marrëveshje për të kryer veprën penale vrasja e rëndë.

Lexo edhe:  Deri në 7 orë pa rrymë, këto vende do të mbesin pa energji elektrike