46-vjeçari vdes befas në restorant, pronari s’e njihte (VIDEO)

Një ekip i policisë erdhi në rrugën “Muharrem Fejza” të kryeqytetit, rreth orës 08:00 të mëngjesit.

Organet e rendit patën punë në njërin nga lokalet e gastronomisë në këtë rrugë, pasi një person vdiq derisa po pinte diçka brenda lokalit.

Rastin për Klan Kosova e ka konfirmuar zëdhënësja e Policisë për Rajonin e Prishtinës, Flora Ahmeti e cila ka bërë të ditur se viktima ishte 46 vjeçar.

“Aktualisht policia me kujdes të shtuar ka nisur hetimin e rastit si “vdekje e dyshimtë” dhe po ndërmerr të gjitha veprimet e duhura hetimore dhe ato forenzike – të ekzaminimit, që do të ndihmonin hetimin e ngjarjes si dhe sqarimin dhe ndriçimin e plotë të rastit”, tha Ahmeti.

Pas hetimeve të organeve të rendit puna në lokal rreth orës 12:00 vazhdonte normalisht, derisa atë që ngjau e konfirmoi edhe pronari, njofton Klan Kosova.

Ai nuk deshi të deklarohet para kamerës, por prapa saj tha se viktima kishte ardhur si çdo konsumator tjetër në lokalin e tij mirëpo që pastaj, sipas tij, i njëjti kishte pësuar sulm kardiak.

Pronari po ashtu deklaroi se nuk e njihte paraprakisht viktimën.

Vdekjen e 46 vjeçarit e konstatoi ekipi mjekësor në vend të ngjarjes, derisa trupin e pajetë të tij e ka marrë mjekësia ligjore për obduksion.

Nga prokuroria bënë të ditur se me urdhër të prokurorit kujdestar nga Departamenti i Krimeve të Rënda, rasti është iniciuar si “hetim mbi vdekjen”.

Lexo edhe:  “E sheh kush jom unë…”, 42-vjeçari çartet pasi u ftua për t’u paraqitur në Polici, kërcënon zyrtarin policor