4 vjet e gjysmë burg për hajnin nga Shqipëria që vidhte në shtëpitë e mërgimtarëve në Kosovë

Gjykata Themelore në Gjakovë ka dënuar me katër vjet e gjashtë muaj burgim dhe me gjobë prej 2 mijë eurosh një shtetas të Shqipërisë për veprat penale “Vjedhje e rëndë”, “Vjedhje e rëndë në vazhdimësi e mbetur në tentativë” dhe “Vjedhje në tentativë”.

Ai akuzohet se gjatë muajit korrik të këtij viti, në disa fshatra të Gjakovës, ka kryer një sërë vjedhjesh, kryesisht në shtëpitë e personave që jetojnë jashtë vendit.

Lidhur me rastin, Sinjali pati raportuar, ku bëhet fjalë për Rifat Madanin.

“I pandehuri akuzohet se gjatë periudhës 6–15 korrik 2025, në disa fshatra të Komunës së Gjakovës, ka kryer një sërë veprash penale të natyrës së vjedhjeve, kryesisht në shtëpi të personave që jetojnë jashtë vendit. Fillimisht, ai ka tentuar të kryejë një vjedhje të zakonshme të mbetur në tentativë në fshatin Orize, pastaj në vazhdimësi ka kryer disa veprime të vjedhjes së rëndë duke depërtuar me forcë në nëntë (9) shtëpi të ndryshme me qëllim përvetësimi të kundërligjshëm të dobisë pasurore në fshatrat Ramoc, Dallashja, Sheremet, Meje, Osek Hilë, por pa arritur të marrë asgjë, duke konsumuar kështu veprën penale të vjedhjes së rëndë në vazhdimësi, e mbetur në tentativë, sipas dispozitave përkatëse të Kodit Penal të Republikës së Kosovës”, thuhet në njoftimin e Gjykatës Themelore në Gjakovë.

Tutje, njoftimi shton se “më 15.07.2025, në fshatin Osek Hilë, një nga rastet, i pandehuri ka arritur të marrë para dhe një orë dore nga një shtëpi tjetër, duke kryer kështu veprën penale të vjedhjes së rëndë”.

Gjyqtari i vetëm gjykues, Driton Sadiku, pas mbajtjes së shqyrtimit gjyqësor, e shpalli të pandehurin fajtor dhe i shqiptoi dënim unik me burgim në kohëzgjatje katër vjet e gjashtë muaj dhe gjobë prej 2 mijë eurosh.

Lexo edhe:  Mërgimtari nga Franca s’e lë rehat ish të fejuarën në Lipjan, ia shpërndan fotot nudo te vëllai dhe motrat e saj