34-vjeçari sulmon fizikisht tre persona në Pejë, i gjuan me gurë

Një rast jo fort i zakontë ka ndodhur së fundi në qytetin e Pejës, ku një person dyshohet se ka sulmuar me gurë tre persona tjerë në rrugën ‘Toni Bler’. Viktimat kanë marrë lëndime trupore dhe kanë kërkuar ndihmë mjekësore në spital.

Burimet e Gazetës Sinjali brenda Emergjencës kanë bërë me dije se viktimat kanë marrë lëndime të dukshme në fytyrë dhe pas dhënies së ndihmën mjekësore, gjendja e tyre shëndetësore është stabilizuar.

Ndërkohë lidhur me rastin është njoftuar edhe Policia e Kosovës dhe ata kanë marrë të gjitha veprimet hetimore që ndihmojnë në identifikimin e të dyshuarit, i cili ishte larguar menjëherë nga vendi i ngjarjes.

I dyshuari është arritur që të identifikohet gjatë ditës së djeshme dhe i njëjti është arrestuar në rrugën ‘Çarshia e gjatë’.

Sinjali mëson se gjatë kontrollit trupor, tek i dyshuari është gjetur një brisk, disa mjete punë, një shufër metali dhe beton, të cilat janë sekuestruar në cilësinë e provave materiale.

Pas përfundimit të procedurave policore, Prokurori i Shtetit ka nxjerrë aktvendim që 34-vjeçarit t’i caktohet masa e ndalimit policor në kohëzgjatje prej 48 orësh dhe i njëjti do të hetohet nën dyshimet për kryerjen e veprës penale ‘Lëndim i lehtë trupor’.

Lexo edhe:  Dalin pamjet kur policia e arreston të dyshuarin që plagosi me armë kryeministrin e Sllovakisë