27-vjeçari i dyshuar për dhunimin e 11-vjeçares, dyshohet edhe për vepra tjera të ngjashme

27-vjeçari, njëri nga të dyshuarit për dhunimin e 11-vjeçares, sipas prokurorisë ka edhe dosje të tjera penale të ngjashme.

“I cili në data bazën e policisë dhe prokurorisë figuron si i dyshuar edhe për vepra penale të ngjashme dhe po ashtu edhe për shumë vepra penale të tjera” – thuhet në dosjen e prokurorisë të cilën e ka siguruar KALLXO.com.

Prokuroria ka vlerësuar që për shkak të këtij faktori ekziston rreziku që i dyshuari të përsëris veprën penale të natyrës së njëjtë apo të ngjashme.

Dy të dyshuarve për këtë rast i është caktuar paraburgimi.

Në dosjen e prokurorisë të cilën e ka siguruar KALLXO.com, thuhet se vajza 11-vjeçare derisa ishte duke ecur në një park në Prishtinë, fillimisht ishte ndaluar e më pas ishte dhunuar seksualisht nga disa persona.

Ngjarja e rëndë pretendohet se ka ndodhur pasi tre persona e kishin ndalur 11-vjeçaren e cila ishte duke ecur.

Të tre personat ishin afruar tek e mitura dhe e kishin ngacmuar me fjalët “Zemër po më pëlqen”, përderisa njëri nga të dyshuarit kishte filluar ta prek me dorë në pjesën e barkut dhe në fundin e shpinës.

Dosja e organit ndjekës të cilën e ka siguruar KALLXO.com tregon se të dyshuarit ia kishin hequr të miturës rrobat në park. Pasi e kishin zhveshur, në dosje përshkruhet se njëri nga të dyshuarit po ia mbante duart dhe gojën viktimës ndërsa tjetri po e dhunonte seksualisht.

Sipas përshkrimit të prokurorisë dhunimi kishte vazhduar dhe ai i cili ia mbante duart, pastaj kishte filluar ta dhunojë seksualisht.

Pasi ishte dhunuar nga dy të dyshuarit e parë, viktima në afërsi të shtëpisë së saj ishte ndalur edhe nga një person tjetër.

Lexo edhe:  Kështu u dëmtuan veturat pas bombës së mbrëmshme në veri

Ai e kishte futur 11-vjeçaren në veturë së bashku me tre persona të tjerë dhe e kishte dërguar në një vend ku kishte vetëm pemë dhe bari.

Aty përshkruhet se viktima ishte dhunuar sërish.

Lidhur me këtë rast deri më tani janë arrestuar vetëm dy të dyshuar përderisa të tjerët vazhdojnë të jenë në arrati./Kallxo.com