24 vjet Policia e Kosovës: Pa sigurim shëndetësor, pa shtesa të rrezikshmërisë dhe pa kushte dinjitoze
Policia e Kosovës si institucioni më i rëndësishëm shtetëror që kujdeset për mbrojtjen dhe sigurinë e rendit në vend, sot ka shënuar 24-vjetorin e themelimit të saj.
Edhe ky përvjetor, i gjen zyrtarët policorë pa sigurim shëndetësor e jetësor, për muaj me radhë edhe pa shtesa të rrezikshmërisë e pa kushte të dinjitetshme. Duke qenë përditë në vijë të parë të frontit për të luftuar krimin, vetëm në gjashtë muajt e parë të këtij viti, janë raportuar 62 sulme ndaj policëve. Ndërsa që nga themelimi i Policisë, 22 zyrtarë kanë rënë gjatë punës së tyre në detyrë, raporton Sinjali.
Për çështjen e sigurimit shëndetësor e jetësor, në shënimin e kësaj date, sot u pyet ministri i Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla, i cili doli në ekspozitën e pajisjeve.
Ai tha se “Të gjitha këto janë në kuadër të angazhimeve tona për të plotësuar jo vetëm për Policinë e Kosovës, por për të gjithë”, edhe pse kishin premtuar se do t’i përmirësonin kushtet e punës së Policisë.
Edhe kryetari i Sindikatës së Policisë së Kosovës, Imer Zeqiri, ka përsëritur sot kërkesën që policët të kenë sigurim shëndetësor e jetësor. Zeqiri ka deklaruar se kërkesën e njëjtë e kanë pasur për secilën Qeveri.
“Policia e Kosovës për 24 vjet është rritur është profesionalizuar dhe është dëshmuar në punën e saj për ruajtjen e rendit, qetësisë publike dhe integritetit të vendit. Unë për këto 24 vjet e kam parë një polici jashtëzakonisht profesionale që mund të krahasohemi jo vetëm me vende e rajonit por edhe më gjerë”, ka thënë Zeqiri.
“Kur jemi të kërkesat e Policisë së Kosovës e që janë adresuar përmes sindikatës së policisë së Kosovës këto kërkesa kanë qenë të kahershme dhe vazhdojnë të jenë prapë të përhershme të gjitha ato që nuk janë realizuar. Me një polici kaq profesionale me sfidat që i ka treguar për këto 24 vite dhe mos të ketë ende një sigurim shëndetësor dhe jetësorë. Definitivisht kjo ka qenë kërkese e kahershme e Sindikatës së Policisë së Kosovës dhe vazhdon të jetë dhe që ende nuk ka ndonjë përgjigje konkrete nga as një Qeveri deri më tani dhe jo vetëm nga kjo. E që nga kjo po kërkojmë se unë mendoj se do të jetë nder për secilën Qeveri që do t’i plotësoj kushtet për PK sepse jemi institucioni i vetëm i sigurisë në vend e që punën po e kryejmë më një dinjitet dhe vullnet të pa kompromis”, tha ai.
Shteti i Kosovës nuk është duke ua paguar as shtesën e rrezikshmërisë zyrtarëve policorë që shtatë muaj me radhë. Mosekzekutimi i shtesave të rrezikshmërisë për pjesëtarët e Policisë së Kosovës, vazhdon të mbetet një ndër ankesat kryesore të zyrtarëve policorë dhe ende nuk dihet nëse ata do të paguhen.
Në gjashtëmujorin e parë të këtij viti janë regjistruar 62 sulme fizike ndaj Policisë dhe përkundër rrezikut të përditshëm me të cilin përballen zyrtarët policorë, ata s’po i marrin shtesat e nevojshme.
Kujtojmë se flota operative dhe punëtorët e Departamentit Mbështetës Operativ në Policinë e Kosovës kanë protestuar në vendet e tyre të punës, duke shprehur pakënaqësitë e tyre për pagat, përkatësisht për mosrregullimin e vlerës së koeficienteve të pozitave të punës.
Policët më parë, përveç shtesës për orar të zgjatur, merrnin edhe shtesat për rrezikshmëri në punë sipas një rregulloreje të brendshme të Policisë, por me hyrjen në fuqi të Ligjit të ri për Paga, këto shtesa nuk u ekzekutuan asnjëherë më, gjë që nxiti edhe më shumë pakënaqësi e ankesa te zyrtarët policorë.
Ligji për Paga, i cili është në fuqi nga muaji shkurt, kishte përcaktuar vlerën e koeficientit të pagës në sektorit publik 105 euro. Megjithatë, ky Ligj, me kërkesë të Avokatit të Popullit, është dërguar në Gjykatën Kushtetuese.
Pa shtesa, por edhe pa kushte
Policia e Kosovës është një nga institucionet më të besueshme në vend, sa i përket ofrimit të sigurisë për qytetarët. Pavarësisht punës së tyre, zyrtarët policorë shpeshherë e kryejnë detyrën e tyre në kushte të vështira. Shumë policë janë përballur me mungesë të pajisjeve të sigurisë, pa antiplumb, e së fundi edhe me një sfidë tjetër, për të cilën ka raportuar Sinjali.
Sinjali ka raportuar në muajin korrik se përdorimi i sprejit me afat të skaduar është problemi tjetër me të cilin zyrtarët policorë janë ballafaquar në kryerjen e detyrës zyrtare, problem ky që nuk dihet nëse është zgjidhur.
Një sprej i tillë përveç që nuk ka garanci për cilësinë, mund të jetë i dëmshëm edhe tek ata mbi të cilët përdoret. Gazeta Sinjali kishte publikuar edhe një foto të një spreji të tillë, ku shihet se data e skadencës ka qenë më 12 dhjetor 2022.