21 vjet burg dhe 41.500 euro gjobë për vjedhjen e 2.1 milionëve nga Thesari

Gjykata Themelore në Prishtinë ka shpallur aktgjykim dënues ndaj të akuzuarve Labinot Gruda dhe Kadri Shala, për vjedhjen e 2 milionë e 77 mijë e 995 euro e 90 centë nga Thesari i Shtetit, duke i dënuar me 21 vite burgim dhe 41 mijë e 500 euro gjobë.

Aktgjykimi ndaj të akuzuarve u shpall të mërkurën, nga gjykatësi Arben Hoti.

Sipas aktgjykimit, i akuzuari Labinot Gruda shpallet fajtor duke u dënuar me dënim unik prej 8 mijë e 500 euro gjobë dhe 11 vite burgim efektiv. Po ashtu, të njëjtit iu shqiptua dënim plotësues, ndalimi i ushtrimit të funksionit në administratë publike për 6 vite.

Kurse, Kadri Shala shpallet fajtor dhe u dënua me 33 mijë euro gjobë dhe 10 vite burgim efektiv. Ndryshe, prokuroria dhe mbrojtja nuk kishin arritur marrëveshje për pranim të fajësisë lidhur me këtë çështje.
Në seancën e 31 tetorit, kishte filluar gjykimi rishtazi pasi që paraprakisht është bërë ndryshimi i trupit gjykues, ashtu që në vend të gjykatëses Shadije Gërguri, erdhi gjykatësja Valbona Selimi-Musliu.

Prokuroria Speciale e Republikës së Kosovës (PSRK), më 12 tetor 2021, ka ngritur aktakuzë në Departamentin Special të Gjykatës Themelore në Prishtinë kundër të pandehurve Labinot Gruda dhe Kadri Shala.

Në aktakuzë thuhet se Gruda, ngarkohej për veprat penale “Keqpërdorim i pozitës apo autoritetit zyrtar”, “Hyrja në sistemet kompjuterike”, “Vjedhja e identitetit dhe pajisja e qasjes” dhe “Shpëlarje e parasë” lidhur me nenin 56 të Ligjit për Parandalimin e shpëlarjes së parasë dhe financimin e terrorizmit, në bashkëkryerje me të pandehurin Shala.

Ndërkaq, thuhet se Shala, akuzohej për veprat penale “Shpëlarje e parasë” lidhur me nenin 56 të Ligjit për Parandalimin e Shpëlarjes se Parasë dhe Financimin e Terrorizmit, në bashkëveprim me të pandehurin Gruda, dhe “Ndihma”, në ndërlidhje me veprën penale “Keqpërdorimi i pozitës apo autoritetit zyrtar”./ Betimi për Drejtësi

Lexo edhe:  Kurti për barrikadat: Vet i vunë, vet i hoqën ato