19-vjeçarja denoncon për dhunë burrin dhe vëllain, strehohet te të afërmit në Prishtinë

Numri i rasteve të dhunës në familje në vendin tonë ka marrë përmasa shqetësuese. Çdo ditë raportohen raste ku viktima zakonisht janë gratë dhe vajzat që përjetojnë dhunë psikike e fizike nga bashkëshortët e tyre, por edhe anëtarët tjerë të familjes. Ato shpeshherë nuk kanë guxim t’i denoncojnë këto raste në Polici për shkak se përballen me kanosje serioze.

Një rast i tillë dyshohet t’i ketë ngjarë edhe një vajze 19-vjeçare në Prishtinë, e cila ka denoncuar në Polici vëllain dhe bashkëshortin e saj.

Burimet e Gazetës Sinjali kanë bërë me dije se e reja ka deklaruar në Polici se vëllai i saj kishte ushtruar dhunë ndaj saj vazhdimisht para se të martohej me 25-vjeçarin.

E nga dhuna ajo nuk shpëtoi as pas martesës, pasi që bazuar në dëshminë e saj dhënë organeve të hetuesisë, bashkëshorti ka ushtruar dhunë psikike e fizike në mënyrë sistematike, mirëpo sipas saj, nuk kishte guxuar që ta raportojë rastin në Polici.

E njëjta më pas është larguar nga shtëpia e burrit dhe është strehuar te disa të afërm të saj në Prishtinë, teksa ka refuzuar që të dërgohet në strehimore.

Si rezultat i denoncimit, dy të dyshuarit janë shoqëruar në stacion policorë, ku kanë mohuar të kenë ushtruar dhunë në çfarëdo forme ndaj viktimës.

Me urdhër të prokurorit, ata do të hetohen në liri për veprën penale ‘Dhunë në familje’.

 

Lexo edhe:  ‘Grushta e shuplaka kokës e fytyrës’ – Rrjedhin detajet si e rrahu pronari punëtoren 22 vjeçare në Ferizaj