19 vjeçari vdiq pasi ra nga skelet në Prizren, arrestohet pronari i biznesit

Të premten, 19 vjeçari Klodian Zogaj, dyshohet se ra nga skelet e katit të 7-të në një objekt banesor në rrugën “Ekrem Rexha” në Prizren e për pasojë vdiq.

Rrethanat se si i ndjeri ra nga ndërtesa ende nuk dihen veçse ekipet mjekësore e konstatuan vdekjen e tij në vendin e ngjarjes. Policia ndërkaq po e heton rastin që ndodhi rreth orës 14:50 të së premtes, e të cilin e ka iniciuar si “Hetim mbi vdekjen”.

E trupi i pajetë i 19-vjeçarit ishte dërguar në Institutin e Mjekësisë Ligjore për obduksion.

“Në lidhje me rastin është arrestuar pronari i biznesit, i dyshuari mashkull kosovar, i cili me vendim të prokurorit është dërguar në mbajtje”, thuhej në raportin e policisë për rajonin e Prizrenit.

I ndjeri punonte në kompaninë e familjarëve të tij. Për djalin e vetëm të familjes tashmë është hapur e pamja në Lladroc të Malishevës, por për shkak të gjendjes emocionale, askush nuk pranoi të prononcohet për rastin.

Lexo edhe:  “Shumë gjynah”- Vdekja e kolegut të tij në ring pas grushteve të marra, reagon boksieri shqiptar