19-vjeçari ia kris armës në një dasmë në Kaçanik, përfundon në Polici
Të shtënat me armë në ahengjet në Kosovë janë dukuri e shpeshtë, të cilat përveç se janë të kundërligjshme, shumë herë janë edhe të rrezikshme. Ka disa raste kur nga të shtënat festive, kanë pësuar edhe me jetë qytetarët e pafajshëm, madje edhe ata që nuk ishin pjesë e ahengjeve, raporton Gazeta Sinjali.
Të shtëna me armë u dëgjuan gjatë ditës së djeshme edhe në fshatin Doganaj në Kaçanik, çka bëri që njësitë policore të aktivizohen dhe të dalin në vendngjarje.
Sinjali mëson se Policia ka identifikuar personin e dyshuar, i cili është shoqëruar në stacion policor për intervistim.
19-vjeçari para organeve të hetuesisë ka pranuar se ka kryer veprën për të cilën dyshohet dhe ka dorëzuar armën që posedonte.
Me urdhër të prokurorit, i dyshuari do të hetohet në liri për veprat penale ‘Mbajtje në pronësi, kontroll ose posedim të paautorizuar të armës’ dhe ‘Përdorim i armës apo mjetit të rrezikshëm’.