18-vjeçari gjuan me armë te shkolla dhe publikon pamjet, intervenon Policia
Publikimi i videove e fotove të ndryshme në rrjete sociale shpesh po i fut kosovarët në sherr me Policinë.
Ata jo rrallëherë dalin të jenë merakli të mbajtjes së armëve, kryesisht pa leje dhe me ekspozimin e tyre në rrjete sociale, tentojnë të shfaqen si të “fortë” dhe të pakapshëm për organet e rendit, shkruan Gazeta Sinjali.
Për një rast tillë, Policia e ka arrestuar sot një person në Ferizaj, pasi i njëjti kishte publikuar video në rrjete sociale, ku shihej duke shtënë me armë zjarri te Shkolla e Mesme e Bujqësisë.
Burimet e Gazetës Sinjali brenda Prokurorisë bëjnë me dije se njësitë policore pas kontrolleve të nevojshme kanë gjetur armën që dyshohet të jetë përdorur në rast nga i dyshuari.
Pas përfundimit të aksionit, i dyshuari është shoqëruar në stacion policor për intervistim, ku para hetuesve policorë ka dhënë deklaratën e tij.
Me urdhër të Prokurorit të Shtetit, ndaj tij është iniciuar rasti “Përdorim i armës apo mjetit të rrezikshëm” dhe “Armëmbajtje pa leje”.