14-vjeçarja në Istog çon babanë e saj në Polici, thotë se e rrahu me grushte
Jo rrallëherë prindërit përfundojnë në pranga për shkak të keqtrajtimit që ua bëjnë fëmijëve. Në shumicën e këtyre rasteve, viktima janë të miturit, ndaj të cilëve ushtrohet dhunë fizike e psikike. Për një rast të tillë, një burrë në Istog ka rënë në pranga.
Sinjali mëson se një 14-vjeçare ka kërkuar ndihmën e Policisë, pasi ka deklaruar se është viktimë e dhunës së shkaktuar nga babai saj.
Bazuar në dëshminë e të miturës, pas një konflikti verbal, babai i saj e ka rrahur duke e goditur me grushte në kokë dhe si pasojë e kësaj ajo ka marrë lëndime trupore.
Në kuadër të veprimeve hetimore, vajza është dërguar në spital për ekzaminime mjekësore ku është konstatuar se ajo ka pësuar lëndime të lehta trupore.
Ndërkohë i dyshuari është arrestuar dhe është shoqëruar në stacion policor, ku gjatë intervistimit nga hetuesit policorë, ai ka pranuar se ka rrahur vajzën e tij.
Viktima bashkë me nënën dhe pesë fëmijët tjerë janë larguar nga shtëpia, ndërsa me vendim të prokurorit, 33-vjeçari është dërguar në mbajtje si i dyshuar për veprën penale ‘Dhunë në familje’.