Mbyllen dy ambulanca familjare në komunën e Skenderajt, vepronin me sistemin e Serbisë
Kryetari i Skenderajt, Sami Lushtaku, ka njoftuar se ka urdhëruar mbylljen e dy Ambulancave të Mjekësisë Familjare në Banjë dhe Syriganë, pas pranimit dhe verifikimit të informatave se ato po funksiononin ilegalisht nën menaxhimin e strukturave paralele serbe, jashtë rendit kushtetues dhe ligjor të Republikës së Kosovës.
Sipas tij, gjatë inspektimit janë gjetur medikamente pa banderola dhe me afat të skaduar, përdorim i vulave dhe recetave mjekësore pa prezencë të mjekut, si dhe shkelje të tjera në kundërshtim me ligjet dhe protokollet shëndetësore. Ai ka theksuar se këto parregullsi përbëjnë rrezik të drejtpërdrejtë për jetën dhe shëndetin e qytetarëve.
Lushtaku bëri të ditur se janë ndërmarrë të gjitha veprimet e nevojshme ligjore dhe janë njoftuar autoritetet përkatëse, përfshirë Agjencinë e Kosovës për Produkte dhe Pajisje Medicinale.
Ai shtoi se këto dy ambulanca mund të rikthehen në funksion vetëm pasi të integrohen plotësisht në sistemin shëndetësor të Republikës së Kosovës dhe të zbatojnë Kushtetutën dhe ligjet në fuqi.

