Zyrtari amerikan i Mbrojtjes do të takojë Kurtin dhe Maqedoncin në një darkë pune
Zëvendësndihmës sekretari amerikan i Mbrojtjes për Politika Evropiane dhe NATO, David Baker, po qëndron sot për vizitë në Kosovë.
Gjatë vizitës, ai pritet të zhvillojë takime me krerët e institucioneve, përfshirë presidenten Vjosa Osmani dhe kryeministrin në detyrë, Albin Kurti.
Zëdhënësi i Qeverisë, Përparim Kryeziu, ka konfirmuar se Kurti dhe ministri i Mbrojtjes, Ejup Maqedonci, do ta takojnë Bakerin sonte në një darkë pune.
“Kryeministri Kurti, bashkë me ministrin e Mbrojtjes, Ejup Maqedonci, do ta takojë sonte Zëvendësndihmëssekretarin amerikan të Mbrojtjes për Politika Evropiane dhe NATO, David Baker, në një darkë pune të shtruar nga ministri Maqedonci”, ka deklaruar Kryeziu.
Para kësaj zyratari amerikan do të pritet nga ministri në detyrë Maqedonci.
Ministria e Mbrojtjes ka njoftuar se pritja do të bëhet me ceremoni zyrtare duke filluar nga ora 16:00.
Ministria në njoftimin e saj takimin e ka cilësuar si hap të rëndësishëm drejt forcimit të bashkëpunimit në fushën e mbrojtjes ndërmjet Republikës së Kosovës dhe Shteteve të Bashkuara të Amerikës.