Zyra e Gjykatës Speciale në Beograd – kur u hap dhe kush e udhëhoqi atë?
Beogradi duket të ketë qenë një adresë e rëndësishme për Gjykatën Speciale. Bashkëpunimi mes tyre ishte realizuar edhe përmes një zyre që Prokuroria e Specializuar del se e kishte në kryeqytetin e Serbisë, që nga viti 2016.
Ky fakt ka habitur ekipet mbrojtëse në Hagë, dhe avokati i Hashim Thaçit, Gregory Kehoe, në një seancë statusore ishte deklaruar për këtë çështje.
“Zyra e Prokurorit të Specializuar ka një zyrë në Beograd. Nuk kanë zyrë në asnjë vend tjetër. Ata po bashkëpunojnë me autoritetet serbe… Ata janë në linjë me entitetet serbe si pjesë e hetimit të këtij rasti. Unë nuk mendoj se ata kanë zyrë në Prishtinë. Por, ata kanë zyrë në Beograd”, ka thënë Kehoe.
Prokurori Matt Halling, në reagimin e tij, ka mohuar ekzistimin e një zyre të saj në Beograd.
“Për të korrigjuar të dhënat, Zyra e Prokurorit të Specializuar nuk ka një zyrë në Beograd. Vetëm deshëm ta bëjmë këtë të qartë”, ka thënë ai.
Por, cila është e vërteta?
Dokumentari “Dosjet Speciale – Historia e bashkëpunimit të Serbisë me Gjykatën Speciale”, i prodhuar nga Opinion / TV Klan dhe Albanian Post, sjell fakte që dëshmojnë ekzistencën e zyrës në Beograd të Prokurorisë së Specializuar.
Në një takim në Beograd me Prokurorin e Specializuar David Schwendiman, Ivica Dacic, si Zëvendëskryeministër dhe Ministër i Jashtëm i Serbisë, në vitin 2016, ishte zotuar se do të siguronte mbështetje logjistike dhe ligjore, përfshirë krijimin e një Zyre Ndërlidhëse të Prokurorisë së Specializuar në Beograd.
“Krijimi i Gjykatës është një përmbushje e kërkesave të Republikës së Serbisë për të ndjekur penalisht krimet e kryera kundër serbëve gjatë konfliktit në ish-Jugosllavi… Pritet mbështetje për hapjen e zyrës së Prokurorit të Specializuar në Beograd dhe qasje në dokumente dhe dëshmitarë përkatës”, thuhej në një komunikatë të Ministrisë së Jashtme të Serbisë, në nëntor 2016.
Një diplomat slloven, Damijan Sadar, kishte shërbyer si Shef i Zyrës Ndërlidhëse të Prokurorisë së Specializuar në Beograd deri në mesin e vitit 2019. Më pastaj, ai ishte emëruar Ambasador i Sllovenisë në Bosnje dhe Hercegovinë. CV e tij në faqen zyrtare të Ambasadës tregon se ai kishte qenë Shef i Zyrës së Prokurorisë së Specializuar në Beograd.
Po ashtu, një konkurs ishte shpallur për disa pozita për Dhomat e Specializuara, njëra ndër të cilat ishte edhe një pozicion për Shef të Zyrës Ndërlidhëse në Beograd.