Zv/kryeprokurori pejan dhe familja e tij, merren në mbrojtje 24 orëshe nga Policia

Njëri ndër prokurorët më të suksesshëm të krimeve të rënda në Republikën e Kosovës e që është edhe zv/Kryeprokuror i Porkurorisë Themelore të Pejës Ersan Qavolli dhe familja e tij, tashmë janë marrë në mbrojtje të afërt 24 orëshe nga Policia e Kosovës.

Burime të ‘RADIO 1’, mësojnë se mbrojtja e afërt ka marë në monitorim dhe shoqërim prokurorin dhe familjen e tij.

‘Policia, mbrojtja e afërt, tashmë shoqëron lëvizjet e Prokurorit Qavolli, monitoron prcesin mësimorë të fëmijëve të tij si dhe të familjarëve. Poashtu policia me pikë statike qëndron 24 orë në shtëpinë e banimit të Prokurorit dhe të familjes.’-ka thënë një burim i sigurt brenda organeve të rendit dhe drejtësisë.

Ndryshe, më 11 Tetor u raportua se prokurori Ersan Qavolli, është kërcënuar seriozisht, pas sekuestrimit të mbi dy ton lënde narkotike në Pejë – aksion ky i kryer në fund të muajit të kaluar.

Kjo u bë e ditur nga Shoqata e Prokurorëve të Kosovës, e cila e dënoi këtë veprim.

“Shoqata e Prokurorëve të Kosovës dënon me ashpërsi çdo formë kërcënimi apo presioni ndaj prokurorëve që janë në vijën e parë të mbrojtjes së ligjit dhe drejtësisë. Në lidhje me kërcënimin e bërë ndaj Prokurorit Ersan Qavolli, pas sekuestrimit të mbi 1 ton lëndë narkotike në Pejë, Shoqata jonë shpreh shqetësim të thellë dhe solidaritet të plotë me Prokurorin Qavolli dhe të gjithë kolegët që përballen me sfida të tilla në ushtrimin e detyrave të tyre”,-thuhej në komunikatë.

“Ne si Shoqatë e Prokurorëve të Republikës së Kosovës inkurajojmë hetuesit policor së bashku me prokurorin e rastit që të ndërmarrin veprime të menjëhershme për të siguruar mbrojtjen e integritetit dhe sigurisë së prokurorit, si dhe për të ndjekur penalisht përgjegjësit e këtyre veprimeve të paligjshme”.-thuhej tutje në reagim.

Lexo edhe:  Rasti “Reflektori”, Prokuroria Speciale ngre aktakuzë kundër gjashtë personave