Zjarri në Spitalin e Pejës doli të jetë i qëllimshëm, kamerat kapin një person të maskuar
Ditën e mërkurë, Spitali i Përgjithshëm i Pejës njoftoi se në një prej dhomave të spitalit ka rënë zjarr.
Në njoftimin fillestar, Spitali bëri të ditur se bëhet fjalë për dëmtim të disa pajisjeve të teknologjisë informative, teksa dyshohet se zjarri ka rënë si pasojë e një defekti elektrik.
Megjithatë, pas hetimeve, është zbuluar se zjarri në fakt u ndiz qëllimisht.
“Për dallim që dyshimet e para sipas ekspertizës fillestare ishte që zjarri u shkaktua nga ndonjë defekt elektrik, gjatë hetimeve dhe shikimit të kamerave të sigurisë u pa që zjarri u vu qëllimshëm nga një person i maskuar.
Qysh në orët e para pas sulmit, pas verifikimit të incizimeve në kamerat e sigurisë, e kemi kuptuar që ishte një sulm kriminal, i qëllimshëm ndaj institucionit tonë shtetëror, por pas konsultimeve me hetuesinë, nuk e kemi publikuar menjëherë këtë informacion për të mos penguar hetimet, pasi kemi qenë të sinkronizuar në tërësi me organet e rendit” thuhet në njoftimin e Spitalit.
Nga Spitali thonë se në ambientet ku ka ndodhur sulmi, gjendet arkiva e spitalit përplot dokumente dhe se aty janë të përqendruar edhe shumica e shtretërve të spitalit.