Zjarri me 114 viktima në dasmë, çifti jep detaje: Ndjemë nxehtësinë, tavani filloi të shkrihej – u deshën vetëm pak sekonda
Çifti nga Iraku i cili përjetoi tragjedinë në dasmën e tyre, pasi një zjarr i cili dyshohet që u shkaktua nga fishekzjarret, vrau më shumë se 100 nga të ftuarit, u deklarua se nuk mund të jetojnë më në komunitetin e tyre teksa shtuan se dhimbja që kanë është shumë e madhe.
Revan 27-vjeç dhe nusja Haneen 18-vjeç, shtuan se ndjejnë që janë “të vdekur brenda” pavarësisht se i mbijetuan zjarrit, i cili filloi brenda salles në Qaraqosh, në provincën Nineveh të Irakut verior.
Revan tha se ai humbi 15 anëtarë të familjes së tij në zjarr, duke shtuar se gruaja e tij “nuk mund të flasë” pas humbjes së 10 të afërmve të saj, përfshirë nënën dhe vëllain e saj. Në gjendje kritike është edhe babai i saj, ndërsa të paktën 150 të tjerë familjarë të tyre pësuan lëndime.
Fatkeqësisht, ata thonë se nuk mund të qëndrojnë më në vendlindjen e tyre.
“Kjo është, ne nuk mund të jetojmë më këtu, nuk mund të jetojmë më këtu. Dmth, sa herë që përpiqemi të kemi pak lumturi, diçka tragjike na ndodh dhe e shkatërron lumturinë. Pra, është më mirë që ne të largohemi. Është e vërtetë që ne jemi ulur këtu përballë jush të gjallë. Por brenda ne kemi vdekur. Jemi të mpirë. Ne jemi të vdekur brenda,” tha Revan.
Revan dhe Haneen
Dasma e së martës mbrëma mësohet të ketë pasur rreth 900 të ftuar, ndërsa zjarri ka nisur rreth orës 22:45.
Ndërsa raportet fillestare sugjeruan se fishekzjarret e ndezura për kërcimin e ngadaltë të çiftit ishin fajtorë për zjarrin, Revan beson se zjarri disi filloi në tavan.
“Mund të jetë një qark i shkurtër, nuk e di. Por zjarri filloi në tavan. Ne ndjemë nxehtësinë… Kur dëgjova kërcitjen, shikova në tavan,” tha ai.
Revan dhe Haneen në ditën e tyre të dasmës
“Pastaj tavani, i cili ishte i gjithi najloni, filloi të shkrihej. U deshën vetëm sekonda”, shtoi ai.
Videoja e shpërndarë menjëherë pas tragjedisë tregon çiftin duke kërcyer ndërsa pjesët e djegura të materialit binin nga çatia.
Ishte gjatë kërcimit, tha ai, ndodhi një ndërprerje e energjisë dhe kur u kthye rryma ai pa zjarr në tavan.
Pikërisht atëherë njerëzit filluan të ulërinin dhe të iknin.
Ai vazhdoi të përshkruante ndihmën që i dha gruas së tij, e cila nuk mund të ecte për shkak të fustanit të saj të nusërisë.
“Unë e kapa gruan time dhe fillova ta tërhiqja zvarrë. Vazhdova ta tërhiqja zvarrë dhe të përpiqesha ta nxirrja nga hyrja e kuzhinës. Ndërsa njerëzit po iknin, njerëzit po e shkelnin. Këmbët e saj janë të plagosur.”
Revan tha se kishte vetëm një zjarrfikës, i cili nuk funksionoi.
Duke përshkruar se si rrodhën ngjarjet, ai tha se dy fishekzjarre të vogla u ndezën ndërsa ata filluan të kërcejnë, pasuar nga katër të tjerë disa minuta më vonë.