Zhvillimet në Veri, sot vendoset për hapat e mëtejmë

Policia e Kosovës ka përfunduar dje zyrtarisht operacionin e kontrollit dhe bastisjes në zonën e Banjskës në Zveçan, ku të dielën një grup i armatosur serb sulmoi Policinë e Kosovës, duke lënë të vrarë rreshterin policor, Afrim Bunjaku, raporton Gazeta Sinjali.

Zëvendësdrejtori i Policisë Rajonale në Veri, Veton Elshani, i tha Sinjalit mbrëmë se paraditen e së mërkurës do të vendoset për hapat e mëtejmë.

“Sot në orët e pasdites ka përfunduar Operacioni i kontrollit dhe bastisjes në zonën e Banjskës. Nesër [e mërkurë] në orët e paradites do të vendoset për hapat e mëtejmë”, tha Elshani.

Grupi terrorist, që sipas autoriteteve përbëhej prej rreth 30 personash, sulmuan njësitet policore në fshatin Banjskë – zonë e banuar me shumicë serbe në veri të vendit.

Krimineli serb, Milan Radoiçiq, ishte pjesë e grupit terrorist që sulmoi Policinë e Kosovës në Banjskë të Zveçanit të dielën, ku si pasojë e të shtënave, mbeti i vrarë rreshteri i Policisë së Kosovës, Afrim Bunjaku.

Prezenca e tij në veri u konfirmua përmes pamjeve të kapura nga droni i Policisë, e të cilat u publikuan nga ministri i Brendshëm, Xhelal Sveçla.

“Ky në pamjet më poshtë është Millan Radoiçiq, nënkryetar i Listës Serbe, po ashtu pjesë edhe e listës së zezë të SHBA-së dhe Mbretërisë së Bashkuar”, shkroi Sveçla në përshkrimin e videos në Facebook.

Siç raportojnë mediat rajonale, Radoiçiq ka mbetur i plagosur nga shkëmbimi i zjarrit mes Policisë së Kosovës dhe terroristëve serbë.

Gjatë përleshjeve të armatosura me grupin terrorist, Policia vrau tre sulmues të nacionalitetit serb, ndërsa i arrestoi tetë të tjerë dhe ndaj tre prej tyre është shqiptuar masa e paraburgimit prej një muaji.

Prokuroria Speciale e Kosovës tha se të arrestuarit dyshohen për një sërë veprash, përfshirë “sulm kundër rendit kushtetues të Republikës së Kosovës”, “përgatitje të veprave terroriste” dhe “armëmbajtje pa leje”.

Lexo edhe:  Lajm i hidhur: Vdes ish ushtari i UÇK-së, Enver Bajraktari

Kosova e ka bërë përgjegjëse Serbinë për sulmin, ndërsa Beogradi zyrtar serbët e Kosovës.

Autoritetet e Kosovës thanë se grupi prej rreth 30 sulmuesish ishte i armatosur me armë të rënda, përfshirë, sipas tyre: granata, armë ushtarake dhe disa automjete të blinduara.

Një sasi e madhe e këtij armatimi u konfiskua, tha Policia e Kosovës.