Zbulohet dhe arrestohet hajni që tmerroi Viva Fresh-in
Pas një sërë rastesh të raportuara për mungesë të produkteve në stok, në disa pika të rrjetit të marketeve “Viva Fresh” në kryeqytet, menaxherët e këtyre pikave kanë alarmuar Policinë, duke inicuar raste për vjedhje në rrugët: “Ismet Krasniqi”, “27 Nëntori”, “Haxhi Zeka”, “Fahri Fazliu” dhe në fshatin Bardhosh.
Sipas burimeve të Sinjalit, vjedhjet kanë ndodhur në intervale të ndryshme kohore gjatë muajit prill dhe maj 2025. Menaxherët kanë konstatuar mungesën e artikujve ushqimorë nëpër raftet e marketeve dhe, pas kontrollimit të kamerave të sigurisë, kanë identifikuar një person që në mënyrë të përsëritur ka marrë produkte të ndryshme pa i paguar, duke i përvetësuar ato në mënyrë të kundërligjshme.
Më 15 maj, pasi janë siguruar pamjet e nevojshme nga video-incizimet, policia ka identifikuar dhe shoqëruar në Stacionin Policor të dyshuarin Bashkim Koprani, 28-vjeçar.
I njëjti është intervistuar në prezencë të avokatit dhe me urdhër të prokurorit kujdestar, është dërguar në mbajtje.
Rasti po trajtohet si “Vjedhje”, ndërsa hetimet janë duke vazhduar për të konstatuar sasinë e dëmit të shkaktuar dhe mundësinë e përfshirjes në raste të tjera.