“Xhipat e zi”, Institucionet e Kosovës shpenzojnë rreth 40 milionë euro në karburante nga viti 2021
Që nga viti 2021 janë shpenzuar afër 40 milionë euro për derivate, periudhë kjo kur në krye të Qeverisë së Kosovës është Albin Kurti kryeministër.
Vetëm, gjatë këtij viti institucionet shtetërore të vendit kanë lidh kontrata që kapin vlerën e parashikuar prej afër 10 milionë euro për furnizim me derivate. Ndërkaq, gjatë vitit 2021-2023 janë shpenzuar rreth 30 milionë euro në naftë dhe benzinë.
Agjencia Qendrore e Prokurimit (AQP), gjatë viti t 2024 ka lidh tri kontrata për furnizim me derivate, raporton Gazeta10.
Kontrata e parë e lidhur këtë vit nga AQP është ajo për furnizim me karburante për vetura për nevojat e Institucioneve të Nivelit Qendror që arrin vlerën e parashikuar prej 2,772,312 euro.
Sasia totale e planifikuar e shpenzimeve me karburante (naftë benzinë) për këtë periudhë kohore është 2 milionë e 1000 mijë litra.
Sipas kontratës me këtë vlerë do të furnizohen me karburante 84 institucione të Kosovës të nivelit Qendror.
Kontrata e dytë është e lidhur ajo për furnizim me karburante për nevojat e Ministrisë së Mbrojtjes dhe FSK-së që kap shumën e parashikuar prej 1,800,050.
Ndërkaq, kontrata e tretë dhe e fundit deri më tash e këtij viti është ajo për furnizim me karburante për nevojat e Policisë së Kosovës dhe vlera e parashikuar e kësaj kontrate është prej 4,965,584 euro, raporton Gazeta10.
Të tri kontratat kanë hyrë në fuqi nga muaji gusht i këtij viti dhe janë valide deri në muajin gusht të vitit 2025.
Në total, të tri kontratat e lidhura gjatë vitit 2024 për furnizim me derivate kapin vlerën e parashikuar prej 9 milionë e 538 mijë euro.
Ndërkaq, gjatë viteve 2021-2023 sipas raportit të Ministrisë së Financave janë shpenzuar rreth 30 milionë euro tjera për derivate.
Sipas raportit vjetor të buxhetit të përgatitur nga Ministria e Financave, gjatë vitit 2021 institucionet e Kosovës kanë shpenzuar 7.62 milionë euro karburant. Në vitin 2022 shpenzimet e tilla kishin shkuar në 11.34 milionë euro, përderisa në vitin 2023 kanë qenë 10.5 milionë euro. Gjithsej, gjatë periudhës 3 vjeçare (2021-2023) institucionet e Kosovës në karburant kanë shpenzuar rreth 30 milionë euro.
Ndryshe, kryeministri Kurti sa ka qenë në opozitë ka qenë kundër shpenzimeve të larta të zyrtarëve shtetëror me vetura zyrtare, duke e përsëritur deklaratën e famshme : “Ata kanë xhipa, ne duam trotuare”