Xhelozia mollë sherri mes çiftit në Fushë Kosovë, burri e rrah gruan me shuplaka e shqelma
Dyshimet për tradhti dhe xhelozia bëhen shpesh shkaktarë të dhunës që përjetojnë gratë në Kosovë nga partnerët e tyre apo edhe anëtarët e tjerë të familje. Një rast i tillë ka ndodhur gjatë ditës së djeshme në një familje në Fushë Kosovë.
Sinjali mëson se rastin e ka denoncuar gruaja, e cila ka kërkuar ndihmë nga Policia, pasi u përballë me dhunën e ushtruar nga bashkëshorti i saj.
Gjithë ngjarja dyshohet të ketë ndodhur për motive xhelozie, ashtu që i dyshuari pas një zënke momentale i dyshuari e ka sulmuar viktimën me shuplaka e shqelma, duke i shkaktuar lëndime.
Përballë kësaj situate, ajo ka vendosur të raportojë rastin në Polici, para se të ndodhë diçka më e keqe.
Si rezultat i denoncimit, i dyshuari është arrestuar dhe është shoqëruar në stacion policor për intervistim.
Me urdhër të Prokurorit të Shtetit, i njëjti është dërguar në mbajtje dhe ndaj tij është iniciuar rasti nën dyshimet për kryerjen e veprës penale ‘Dhunë në familje’.