Xhafer Tahiri irriton veteranët, tha se ushtarët e pensionuar do t’i bëjë roje shkollash

Kandidati për kryetar të Komunës së Vushtrrisë nga radhët e LDK-së, Xhafer Tahiri ka shkaktuar reagime të ashpra nga veteranët e luftës së UÇK-së me një propozim të fundit për sigurinë nëpër shkolla.

Ai premtoi që veteranët e UÇK-së do t’i angazhojë krahas policisë për sigurinë në shkolla.

“Do të bashkëpunojmë me Shoqatën e Veteranëve të Luftës së UÇK-së dhe me ish-pjesëtarët e FSK-së që tashmë janë në pension. Do t’i angazhojmë këta njerëz krahas policisë për sigurinë në shkolla”, deklaroi Tahiri.

Megjithatë, veteranët e kësaj komune shprehen të irrituar dhe theksojnë se emri i tyre nuk duhet të përdoret për përfitime elektorale.

“Shkollat, institucionet, na kemi luftu me u formu policia, me u formu institucionet e shtetit e ato me u kujdes. Konsulent duhet me u kanë ata që kanë kry shkollë, janë psikologët nëpër shkolla, duhet me rrit numrin e tyre mos me ndodh këto që po ndodhin. Jo na veteranët”, tha për Klan Kosova, Shaip Hyseni, sekretar i OVL-UÇK në Vushtrri.

Hyseni gjithashtu bëri të ditur se kanë marrë shumë ankesa nga veteranët, të cilët e kanë konsideruar këtë propozim si një ofendim ndaj statusit dhe sakrificës së tyre.

Lexo edhe:  Ky është hajni 65-vjeçar i arrestuar në Podujevë, pjesë e grupit kriminal që dyshohet për 35 raste të vjedhjeve