VV-ja në Podujevë: Asamblisti i LDK-së tentoi ta sulmojë fizikisht kryetarin Bulliqi, rasti është në polici

Qendra e Lëvizjes Vetëvendosje në Podujevë ka thënë se asamblisti i Lidhjes Demokratike të Kosovës në këtë komunë, Ekrem Rrahmani, në seancën e sotme të Kuvendit Komunal, ka tentuar ta sulmojë fizikisht kryetarin e Podujevës, Shpejtim Bulliqin.

Sipas VV-së në Podujevë, e gjitha ndodhi pas një debati të gjatë për zëvendësimin e anëtarit të Komitetit për Komunitete, Demokrat Hodolli.

“Këshilltari Hodollli kohë më parë e ka deklaruar daljen nga Grupi i LDK-së, po nuk ka hequr dorë edhe nga partia e tij. Duke qenë kështu, ai ka vazhduar të jetë anëtar i Komitetit për Komunitete. Por, kërkesa shumë meskine e LDK-së ishte që Hodolli të zëvendësohet me një anëtar tjetër të tyre, gjë që edhe u hodh në votim nga kryesuesi, por që nuk i mori votat e mjaftueshme”.

“Meqenëse dështoi propozimi i tyre, Kryetari Bulliqi për t’i dhënë zgjidhje kësaj kërkese, propozoi që për këtë çështje të kërkojnë përgjigje nga MAPL-ja se si të veprojnë rreth anëtarit të Komitetit për Komunitete. As kjo nuk u mjaftoi dhe Ekrem Rrahmani, eskaloi në fyerje ndaj Kryetarit dhe këshilltarët e LDK-së e penguan edhe rrjedhën e seancës. Ndërkohë, Ekrem Rrahmani shkoi në foltore për ta sulmuar Kryetarin Bulliqi”, thuhet në reagimin e VV-së në Podujevë.

Tutje, VV-ja në Podujevë tha se i vetmi argument i Rrahmanit të LDK- së është arroganca, fyerja dhe “sjellja prej një rrugaçi të papërmirësueshëm”.

“Përfaqësues të tillë, nuk i bëjnë nder jo vetëm Kuvendit Komunal, por as partisë që e përfaqëson. Në Polici rastin e ka paraqitur Kryetari Bulliqi për tentim sulm fizik ndaj tij dhe presim tash që organet e rendit të ndërmarrin hapat e nevojshëm bazuar në legjislacionin në fuqi”, thuhet në reagim.

Lexo edhe:  Gjuajtje me armë në Malishevë, dyshohet për një të vrarë