Vushtrriasi raportohet për dhunë nga ish e dashura, postoi edhe video të saj të montuara në Telegram

Rastet e publikimit të fotove dhe videove të vajzave në rrjetin social Telegram janë rritur shumë dhe kjo ka ngritur një shqetësim – sidomos për shkak të grupit “Albkings”. Hetuesit që po merren me këtë grup tashmë kanë cak edhe një person tjetër, që u zbulua pas denoncimit të një vajze në Vushtrri.

Këtë herë, një 23-vjeçare e ka raportuar ish të dashurin e saj, i cili dyshohet t’i ketë shpërndarë disa pamje të montuara ku shihet viktima.

Sinjali ka mësuar se për të mos mbaruar me kaq, e reja ka rrëfyer po ashtu një rast të dhunës që dyshohet se kishte ndodhur së fundmi, ku i dyshuari e kishte sulmuar fizikisht, për motive akoma të panjohura.

Burimet e njëjta thonë se i dyshuari është identifikuar, teksa Policia ka ndërmarrë veprimet e nevojshme pas raportimit të rastit.

Ndaj personit të dyshuar është iniciuar rasti për veprën penale “Sulm”, teksa do të hetohet nga Krimet Kibernetike për pjesën e shpërndarjes së fotove dhe videove.

Veprimet e tjera do të ndërmerren posa të sigurohet prezenca e tij dhe i njëjti të përballet me denoncimin kundër tij.

Lexo edhe:  Dy të vdekur në një aksident në ‘Rrugën e Kombit’, të përfshirë edhe disa kosovarë