Vushtrri: 35-vjeçari e rrah gruan në mes të rrugës vetëm pse s’ia hapi telefonin
Mungesa e hetimeve që çojnë në zgjidhjen e rasteve të dhunës, dënimet e ulëta nga Gjykatat, si dhe mosreagimi i duhur nga ana e Policisë, shpesh janë vlerësuar si disa nga faktorët që po ndikojnë në rritjen e numrit të rasteve të dhunës në familje. Gratë, si viktimat më të shpeshta frikësohen t’i denoncojnë bashkëshortët, çka i shtynë ata që ta përsërisin veprën e njëjtë.
Ndihmën e Policisë e ka kërkuar mbrëmë edhe një grua në Vushtrri, e cila ka deklaruar se është viktimë e dhunës së shkaktuar nga bashkëshorti i saj.
Sinjali mëson se njësitë policore kanë dalë në vendin e ngjarjes ku kanë hasur çiftin që po përlesheshin në rrugë dhe ka intervenuar për të vënë situatën nën kontroll.
Pas një konflikti mes çiftit, burri në shenjë revolte pse gruaja s’ia ka hapur telefonin, dyshohet se ka shpërthyer në dhunë duke e goditur me shuplakë.
I dyshuari është arrestuar dhe është shoqëruar në stacion policor, ku me urdhër të prokurorit ndaj tij është iniciuar rasti ‘Sulm’.
Me vendim të prokurorit, i dyshuari është dërguar në mbajtje.