Vuçiq: Tre policët pinë coca-cola e hanë torte, nuk u mungon asgjë

Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, ka folur për gjendjen e tre policëve të Kosovës, të cilët u rrëmbyen të mërkurën e kaluar nga forcat serbe.

Sipas tij, ata “pinë coca-cola” dhe “po hanë torte e rrush”. Ai shtoi se policëve nuk po u mungon asgjë, transmeton Paparaci.

Autoritetet serbe thonë se të tre ata dyshohet se kanë kryer veprën penale: prodhim, posedim, mbajtje dhe trafikim i paligjshëm i armëve dhe lëndëve plasëse, e cila bart dënimin deri në 12 vjet burg.

Tre policëve, B.S. R.Z. dhe M.SH., iu shqiptua të premten masa e paraburgimit nga gjyqtari i procedurës paraprake në Gjykatën e Lartë në Kralevë, por tash për tash nuk është e qartë kohëzgjatja e saj.

Sipas zëvendësministrit të Jashtëm të Kosovës, Kreshnik Ahmeti, bëhet fjalë për 30 ditë paraburgim.

“Askush nuk i preku. Ata pinë coca-cola, hanë tortë, rrush, pjeshkë, çdo gjë. Ata hanë e pinë mirë dhe nuk u mungon asgjë”, tha Vuçiq.

“Do të shqyrtohet me kujdes dhe dashamirësi çdo propozim i Orbanit”, shtoi ai, duke folur për kërkesën e kryeministrit të Hungarisë, Viktor Orban, për të shqyrtuar lirimin e tre policëve kosovarë.

Mes tjerash, Vuçiq ka kërkuar “lirimin e serbëve të arrestuar në veri, tërheqjen e kryetarëve dhe forcave speciale nga veriu dhe formimin e Asociacionit të Komunave me Shumicë serbe”.

Ndërkohë, Qeveria e Kosovës pretendon se policët janë “rrëmbyer”, pasi, sipas saj, ata janë arrestuar në territorin e Kosovës. Serbia e mohon këtë, duke thënë se ata janë arrestuar në territorin e saj.

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti ka thënë të martën se është i interesuar që të shkojë në Bruksel, në takimin që e ka përmendur kryediplomati i BE-së, Josep Borrell.

“Unë jam i gatshëm dhe i interesuar të shkoj në takimin e radhës në Bruksel, që të paraqes hollësisht këto të dhëna, dhe ta kuptojnë që ulja e tensioneve nënkupton lirimin e menjëhershëm dhe pa kushte të tre policëve dhe dënimin e agresionit të Serbisë në Kosovë, ndërsa normalizimi nënkupton zbatimin e menjëhershëm të Marrëveshjes bazike”, shtoi ai në një konferencë për media.

Lexo edhe:  Telashe për pronë mes vëllezëeve në Mitrovicë, 58-vjeçari denoncon rastin në Polici

“Për bindjen time, presidenti i Serbisë i ka rënë pishman që i ka thënë ‘po’ Marrëveshjes bazike. Dhe tani i kemi gjithë këto kriza. Ai ka deklaruar më 24 prill që Marrëveshjen bazike e pranon vetëm në koncept, dhe jo në përmbajtje, çka është në kundërshtim me atë që ka thënë më 27 shkurt në Bruksel dhe 18 mars në Ohër, dhe e dyta ka thënë se zbatimin e paramendon me kufi, zbatim i limituar, që është sërish në kundërshtim”, tha shefi i qeverisë.

Ai tha se shefi i Zyrës Ndërlidhëse të Kosovës në Beograd, Jetish Jashari, i ka vizituar të martën tre policët e arrestuar ditë më parë nga autoritetet e Serbisë.

Sipas Kurtit, Serbia “me këto akte agresioni” synon destabilizim në Kosovë.