Vuçiq: Nëse Kosova arreston serbët për barrikadat, veriu do të bllokohet përgjithmonë

Pas tri javësh bllokadë, sot është paralajmëruar heqja e barrikadave në veri të vendit. Largimi i tyre është paralajmëruar nga vetë serbët që i kanë vendosur.

Kështu ka thënë mbrëmë në orët e vona, Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, pas takimit me përfaqësuesit e serbëve nga Kosova. Vuçiq tha se heqja e barrikadave në veri të Kosovës do të nisë mëngjesin e së enjtes.

Ai tha paraprakisht, se janë dhënë garanci se kërkesat e serbëve për heqjen e barrikadave do të plotësoheshin.

Në të kundërtën, Vuçiq tha se nëse një serb arrestohet, veriu i Kosovës do të “bllokohet përgjithmonë”.

“I kam lutur, i kam lënë vetëm të marrin një vendim dhe më pas më kanë dorëzuar atë që kanë hartuar në barrikada. Serbët nuk besojnë në institucione”, tha Vuçiq dhe lexoi tekstin që përfaqësuesit serb ia dorëzuan.

“Ne besojmë vetëm në shtetin e Serbisë dhe për këtë kërkojmë një garanci të qartë se kemi mbështetje për atë që vijon. Nëse terrori vazhdon, veriun e Kosovës do ta mbyllim përgjithmonë për institucionet e Prishtinës, kërkojmë garanci që ata kurrë nuk do ta njohin pavarësinë e Kosovës”, lexoi Vuçiq, teksa shtoi.

“Nëse ata fillojnë të arrestojnë serbët për shkak të barrikadave, çfarëdo që të bëni pas kësaj, unë qëndroj prapa jush”, tha ai.

Barrikadat do të hiqen, por mosbesimi nuk është hequr”, ka përfunduar Vuçiq.

Lexo edhe:  “U largua vetëm pse barte shami”, nxënësja përjashtohet nga shkolla në Shtime