Vrasja në tentativë në Prishtinë, identifikohet edhe një person i dyshuar

Tre të mitur mbetën të plagosur mbrëmjen e 20 tetorit në Prishtinë, si pasojë e një përleshjeje fizike ku u shkrep edhe arma e zjarrit. Dy të dyshuarit, Ervin Jetullahu dhe Arianit Avdullahu, menjëherë pas kryerjes së veprës janë larguar nga vendi i ngjarjes, ndërsa viktimat janë dërguar me urgjencë në spital.

Burimet e Gazetës Sinjali brenda Prokurorisë kanë bërë me dije se pas veprimeve hetimore është arritur që të identifikohet edhe një person i dyshuar, i cili është i mitur.

15-vjeçari është shoqëruar në stacion policor, ku është intervistuar në praninë e prindërve të tij dhe avokatit mbrojtës.

Me urdhër të prokurorit, ai do të hetohet në liri për veprën penale ‘Vrasje e rëndë në tentativë’ dhe ‘Mbajtje në pronësi, kontroll ose posedim i paautorizuar i armëve’.

Shënim: Personat e apostrofuar në këtë artikull prezumohen të pafajshëm derisa fajësia e tyre të mos provohet me vendim të formës së prerë nga gjykata.

Lexo edhe:  Ky është llapjani që ekspozonte armën e gjatë para shtëpisë, Policia shkon në fshatin e tij dhe e arreston