Vrasja e xhaxhait të Prindon Sadriut në Ferizaj, djali i viktimës deklarohet për ngjarjen

Ilir Sadriu, djali i Sadri Sadriut, 89-vjeçarit që dyshohet u vra me armë zjarri nga një oficer policor i Kosovës në Bibaj të Ferizajt më 16 gusht, ka thënë se një padi për pedofili ndaj babait të tij është hedhur poshtë nga Prokuroria e Vrajës në Serbi.

Kësisoj, ai ka thënë se dyshimet e ngritura për pedofili ndaj babait të tij, Sadri Sadriut, nuk qëndrojnë.

Ilir Sadriu, një politikan shqiptar në Luginën e Preshevës dhe i biri i viktimës, ka deklaruar se babai dhe familja e tij ka pasur presion për përfitime financiare nga një grup, i cili sipas tij, është i lidhur me vrasësin e dyshuar.

“Akti i ulët dhe barbar i ekzekutimit të babait tim, Sadri Sadriu, një ish-mësues i përkushtuar me 42 vite përvojë në edukimin dhe arsimimin e shumë brezave në Luginën e Preshevës dhe më gjerë, ndodhi pa asnjë paralajmërim dhe pa asnjë shenjë paraprake që një akt i tillë mund të ndodhte”, ka thënë ai.

“Kjo përpjekje e dorasit, asistentit të tij dhe porositësve të këtij akti barbar, ndoshta edhe e sponsorizuar nga entitete të caktuara private dhe publike, filloi përmes një denoncimi të bërë nga T.M., vajza e dajës, më 8 dhjetor 2021, pranë autoriteteve të Serbisë në Preshevë”, ka deklaruar Ilir Sadriu. “Pas hetimeve nga autoritetet relevante në Serbi, Prokuroria e lartë publike në Vrajë ka hedhur poshtë këto pretendime si të pabazuara”.

Në deklaratën publike të tij, thuhet se vendimi për hedhje poshtë të padisë nga Prokuroria e Serbisë, nuk i ndali “presionet për përfitime financiare” ndaj familjes së tij.

“Fatkeqësisht, vendimi i Prokurorisë së Serbisë nuk arriti të ndalë presionet për përfitime financiare, të cilat duket se ishin pjesë e një plani të menduar mirë për të denigruar familjen tonë”, tha ai.

Lexo edhe:  “Nuk është kthyer në shtëpi prej të enjtes”, familja kërkon ndihmë për gjetjen e Arlind Dakajt nga Istogu

Sadriu, shkoi aq larg sa, pa asnjë fakt e dëshmi, e akuzoi gazetarin Berat Buzhala për “përfshirje të drejtpërdrejtë në vrasjen e babait tonë”.

“Fakti që rasti nuk u denoncua para gjykatave të Republikës së Kosovës, por para atyre të Serbisë, dhe duke marrë parasysh lidhjet e ngushta të Berat Buzhalës me aktorë të tjerë kriminalë në Serbi, vetëm sa e forcon dyshimin për përfshirjen e tij të drejtpërdrejtë në vrasjen e babait tonë”, ka deklaruar Sadriu.

Djali i 89-vjeçarit të ndjerë tha se pret që autoritetet e Kosovës të zhvillojnë hetime të plota e të pavarura për rastin.

“Të bindur në profesionalizmin dhe integritetin e Policisë së Kosovës, Inspektoratit Policor te Kosovës si dhe Prokurorisë Themelore në Ferizaj dhe gjyqësorit, presim që pa humbur kohë të përfundojnë hetimet e plota, të pavarura dhe transparente, të cilat pa dyshim do të zbardhin të vërtetën dhe do të sjellin para drejtësisë jo vetëm dorasin dhe asistentin e tij, por edhe porositësit, ndihmësit dhe sponsorizuesit e këtij akti kriminal”, tha ai.

Në fund, ai paralajmëroi padi ndaj gazetarit Buzhala