Vrasja e rreshterit Lika, BIK: Akt tronditës e i dënueshëm, është detyrë e gjithë neve që t’i demaskojmë këta njerëz
Bashkësia Islame e Kosovës (BIK) ka dënuar ashpër vrasjen e eprorit të Policisë së Kosovës, Muhamed Lika, duke i kushtuar një pjesë të ligjëratës së “xhumasë” këtij akti tragjik. Sipas raportimeve, ky veprim ka ardhur me rekomandim të myftiut Naim Tërnava, kryetar i kryesisë së BIK-së.
BIK thekson se ky akt është “tronditës dhe thellësisht i dënueshëm,” duke apeluar për zbardhjen e rrethanave të vrasjes dhe për dënimin e kryesve të këtij krimi. BIK gjithashtu ka kërkuar që të sigurohen drejtësi dhe siguri për qytetarët, si dhe të merren masa për të parandaluar ngjarje të tilla.
“Vrasja e eprorit të Policisë së Kosovës, Muhamed Lika, që ishte gjithashtu ish-pjesëtar i Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, ka goditur rëndë jo vetëm rendin dhe sigurinë publike, por edhe shtyllën morale të shoqërisë dhe të shtetit tonë,” thuhet në deklaratën e BIK.
Po ashtu, Gazeta Sinjali raportoi sot ekskluzivisht për një operacion të madh të Njësisë Kundër Terrorizmit i cili është finalizuar me katër arrestime në komunën e Kaçanikut, në kuadër të hetimeve për vrasjen e rreshterit të Policisë së Kosovës, Muhamed Lika. Burime të sigurta të Sinjalit kanë konfirmuar emrat e personave të ndaluar si: Labinot Murati, Fatjon Tusha, Elmedin Raka dhe Ridvan Axhami.