Vrasja e 62 vjeçarit në Prishtinë – të dyshuarit ende në arrati, nga Prokuroria thonë se motivet nuk dihen ende
Një person ka mbetur i vdekur dhe një tjetër i plagosur, si pasojë e të shtënave me armë zjarri mbrëmjen e së martës në Prishtinë.
Pas raportimit nga vendi i ngjarjes rasti në fjalë u konfirmua edhe nga Policia e Kosovës.
“Sot rreth orës 22:30, kemi pranuar informatën për të shtëna me armë në rrugën “Rrustem Hyseni” në Prishtinë, ku dyshohet të jenë lënduar dy persona të cilët janë dërguar për tretman mjekësor. Aktualisht hetuesit policor janë duke ndërmarr të gjitha masat e nevojshme në lidhje me rastin dhe janë në kërkim të personit të dyshuar i cili tashmë është identifikuar”, ka thënë zëdhënësja e Policisë në Prishtinë, Flora Ahmeti.
Në këtë ngjarje tejet të rëndë që ndodhi në qendër të kryeqytetit të përfshirë ishin disa persona.
Të maskuar e të armatosur janë përshkruar të kenë qenë të dyshuarit të cilët arritën që të arratiseshin nga vendi i ngjarjes përmes një makine.
E pikërisht dy personat e dyshimtë të përfshirë në gjuajtjen me armë ku i vdekur mbeti një person dhe një tjetër u plagos rëndë- vazhdojnë të jenë në arrati.
I dyshuari për këtë vrasje, i cili tanimë është identifikuar edhe në publik, Alban Gashi nuk është arrestuar ende dhe kjo u konfirmua edhe nga Prokuroria Themelore në Prishtinë.
Lajmi.net ka pyetur Prokurorinë në lidhje me rastin, por nga këta të fundit nuk janë dhënë detaje shtesë por u tha se po bëhen përpjekje maksimale për zbardhjen e rastit në fjalë.
Sipas Prokurorisë, ende nuk dihen as motivet që çuan deri tek vrasja.
“Lidhur me pyetjen tuaj ju njoftojmë, se deri më tani nuk ka të arrestuar, mirëpo Njësitet e Policisë së Republikës së Kosovës nën udhëheqjen e Prokurorisë Themelore në Prishtinë janë duke bërë përpjekjet maksimale për zbardhjen e rastit në fjalë. Deri më tani, nuk janë bërë të ditura motivet e kësaj vrasje dhe hetimet janë në vazhdim”, ka thënë Prokuroria Themelore në Prishtinë.
Prokuroria është pyetur edhe nëse Alban Gashi ishte i njohur edhe më parë për organet e rendit dhe hetuesisë ashtu siç edhe u raportua, por këta të fundit nuk deshën të përgjigjeshin.
“Për më shumë informata, do të ju mbajmë të informuar në vazhdimësi”.
Viktima e këtij rasti, është Naser Gashi 62 vjeçar ndërsa i plagosur ka mbetur Miftar Miftari i cili po vazhdon të trajtohet në QKUK.
Kjo vrasje në kryeqytet, ka qenë e treta për tri ditë radhazi, pasi që të dielën dhe të hënën kanë ndodhur dy vrasje në Vushtrri.
Të dielën, një 19 vjeçar është vrarë nga një bashkëmoshatar i tij të cilit Gjykata Themelore në Mitrovicë ia ka caktuar masën e paraburgimit, ndërsa të hënën një burrë ka vrarë një grua e më pas edhe veten. Kësisoj vrasja e Naser Gashit çoi në katër numrin e viktimave nga vrasjet në Kosovës brenda tri ditësh.
Gjendja e sigurisë e krijuar së fundi në vend është tejet e “frikshme” për të gjithë e sidomos për të rinjtë. Pavarësisht kësaj nuk është se ka pasur ndonjë reagim apo deklarim nga i pari i MPB-së Xhelal Sveçla apo nga ministrja e Drejtësisë Albulena Haxhiu.
Motivet për këto tri raste të rënda që kanë tronditur Kosovën, ende nuk dihen.