Vodhi çokollata ‘Milka’ në vlerë të dhjetëra € nga marketi në Fushë Kosovë, i riu ndalohet për 48 orë
Rastet e vjedhjeve nëpër markete të ndryshme në Kosovë janë bërë një fenomen mjaft shqetësues, duke shkaktuar ankth e pasiguri te punëtorët, e humbje për bizneset. Një rast i tillë është raportuar të ketë ndodhur të hënën në rrugën “Hamdi Grajqevci” në Fushë Kosovë, ku një person ka kryer vjedhje brenda një marketi dhe jashtë tij.
Sinjali mëson se bëhet fjalë për një 23-vjeçar, i cili dyshohet se ka hyrë në një market, prej ku ka vjedhur çokollata ‘Milka’ në vlerë prej më shumë se 40 euro dhe më pas ka arritur të ikë. Rasti është denoncuar nga një punëtor, i cili ka njoftuar Policinë se marketi ku punon ka qenë cak i vjedhjes.
Burimet nga Prokuroria thonë se i dyshuari është kapur pas një periudhe të shkurtër kohore dhe është shoqëruar në stacion policor për intervistim.
I njëjti ka dhënë deklaratë par hetuesve policorë në lidhje me rastin dhe më pas me urdhër të prokurorit të Shtetit është iniciuar rasti ndaj tij për veprën penale “vjedhje”.