Vjedhje në argjendarinë ‘Zefi Gold’, njëri prej të dyshuarve bie në pranga
Një fenomen mjaft shqetësues për qytetarët e Kosovës janë bërë vjedhjet e shpeshta nëpër shtëpi, biznese e institucione financiare që po shkaktojnë humbje e pasiguri, raporton Gazeta Sinjali.
Një rast i tillë ka ndodhur para pak ditësh në argjendarinë ‘Zefi Gold’ në rrugën ‘Brigada 123’ në komunën e Suharekës, ku tre persona dyshohet se kanë hyrë në mënyrë tinëzare në lokal.
Burimet e Gazetës Sinjali brenda Prokurorisë bëjnë me dije se të dyshuarit kanë arritur që të vjedhin një çantë dore brenda së cilës kishte dy telefona celularë.
Pronari i argjendarisë ka denoncuar rastin në Polici dhe më pas në kuadër të veprimeve hetimore janë marrë pamjet e kamerave të sigurisë.
Pas ekzaminimeve është arritur që të identifikohen të dyshuarit, të cilët kanë pranuar thirrje që të paraqiten në stacion policor.
Njëri nga ta është dorëzuar në Polici dhe gjatë intervistimit ka pranuar se ka kryer veprën të cilën dyshohet bashkë me dy persona tjerë, të cilët janë ende në arrati.
Gjatë verifikimit ka dalë se tre të dyshuarit janë në kërkim policor, pasi që të njëjtit dyshohet se kanë kryer edhe vepra tjera të ngjashme.
Me urdhër të prokurorit, rasti është cilësuar ‘Vjedhje’ dhe i dyshuari është dërguar në mbajtje, ndërsa po vazhdojnë hetimet për lokalizimin e vendndodhjes së dy të dyshuarve tjerë.