Vjedhje e rëndë në spitalin “Royal Medical”, hajnat hyjnë me sëpatë dhe të maskuar
Hajnat në Kosovë përveç shtëpive e lokaleve të ndryshme që i kanë cak për t’i bërë qyl, shpesh ia kanë mësyrë edhe spitaleve, qoftë private apo edhe publike, me qëllimin për të kapur sado pak gjësende me vlerë.
Të tilla raste janë shpeshtuar dhe kjo ka ngritur shqetësim për shkak të pasigurisë, por edhe humbjeve që po shkaktohen, raporton Gazeta Sinjali.
Një rast i tillë është raportuar të ketë ndodhur gjatë ditës së djeshme në spitalin “Royal Medical” në magjistralen Prishtinë – Ferizaj, ku të dyshuarit vodhën disa zarfe që dyshohen të kenë qenë të mbushura me para, të cilat arritën t’i kapnin duke depërtuar brenda me dhunë.
Burimet nga Prokuroria kanë bërë me dije se rasti është raportuar nga menaxheri i spitalit, i cili ka njoftuar Policinë se katër persona të maskuar, njëri prej tyre më sëpatë, kanë hyrë me forcë brenda dhomës së spitalit. Të dyshuarit sipas informacioneve të para kanë arritur të largohen me një veturë, pa lënë ndonjë gjurmë.
Me t’u denoncuar rasti, njësitet përkatëse kanë dalë në vendin e ngjarjes, për t’i bërë ekzaminimet e nevojshme, ndërsa me urdhër të Prokurorit të Shtetit rasti është iniciuar si “Vjedhje e rëndë”.