Vjedhje e rëndë në një shtëpi në Podujevë, hajnat ‘avullojnë’ pajisje në vlerë të 6 mijë eurove
Një fenomen mjaft shqetësues për qytetarët e Kosovës janë bërë vjedhjet e shpeshta nëpër shtëpi, që po shkaktojnë ankth e pasiguri, sidomos kur shtëpitë mbesin pa përkujdesje. Në shumicën e rasteve, hajnat arrijnë të ikin me mijëra euro e gjësende me vlerë pa lënë ndonjë gjurmë.
Kështu ka ndodhur edhe së fundmi, në një shtëpi në fshatin Obrançë të Podujevës, ku hajnat kanë arritur të vjedhin pajisje të ndryshme, që kapin vlerën e rreth 6 mijë eurove.
Vjedhja dyshohet se është kryer dje dhe u zbulua nga një familjar i pronarit të shtëpisë, i cili e vërejti se dikush kishte depërtuar me forcë brenda.
Viktima ka dhënë deklaratën e tij para hetuesve policorë, ndërkohë që pas denoncimit të rastit, një njësi policore ka dalë në vendin e ngjarjes, ku janë kryer ekzaminimet e nevojshme.
Pas përfundimit të procedurave policore, me urdhër të Prokurorit të Shtetit, rasti është iniciuar si “Vjedhje e rëndë”, kurse veprimet e tjera do të ndërmerren posa të identifikohen dhe të kapen personat e dyshuar.